Lajme

Do rekrutohen 20 inspektorë të rinj në arsim, thotë Nagavci


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se në mbledhjen e fundit të Qeverisë është votuar për rekrutimin e 20 inspektorëve të rinj, pasi Inspektorati i arsimit deri tash ka funksionuar me vetëm 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Republikën e Kosovës.

“Për rekrutimin e 20 inspektorëve dhe shumë shpejt do të hapet konkursi. Fokusi ynë është që rekrutimi të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore, duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që e kemi në mungesë”, tha Nagavci.

Ajo ka treguar se edhe për vitin e ardhshëm planifikojnë të pranojnë edhe 20 inspektorë tjerë të arsimit.

E para e MSH-së ka potencuar se me rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit synojnë të sigurojnë cilësi.

“Të jemi me afër problemeve në shkolla, të kemi më shumë  mundësi të monitorojmë e inspektojmë institucionet arsimore dhe të vlerësojmë performancën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve si dhe performancën e shkollës”, shtoi ajo.

“Me qasje gjithpërfshirëse e shumë dimensionale do të përmirësojmë cilësinë në arsim”.

Të shtunën, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, konkretisht kryetari i Këshillit të Grevistëve, Rrahman Jashari ka bërë të ditur në një konferencë për media se greva e përgjithshme e nisur më 25 gusht në arsim dhe administratë publike nuk është mbyllur, por është pezulluar deri në janarin e vitit 2023.

Pezullimi i grevës në fjalë, sipas Jasharajt ka ardhur pas votimit, pro apo kundër vazhdimi të grevës nga anëtarët e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, i cili u mbajt të premten.

Ndryshe një ditë më parë Anëtarësia e SBASHK-ut ka pranuar propozimin për pezullimin e grevës në arsim, duke bërë të ditur se të hënën fillon mësimi.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

“Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88 për qind, ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12 për qind”, ishte thënë në njoftim.

Greva nuk është mbyllur, por është pezulluar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore