Shqipëria

Rama vijon vizitën zyrtare në Kroaci, takohet me presidentin Milanoviç


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe një pjesë e kabinetit të tij po vijojnë vizitën zyrtare në Kroaci të hënën e 2 tetorit, ku priten bisedime në disa sektorë me palën kroate.

Ndër pikat më kyçe, është edhe mbështetja e Kroacisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë gjysmës së dytë të ditës kreu i Qeverisë ka zhilluar një takim me presidentin kroat Zoran Milanoviç.

Më herët, kryeministri shqiptar u prit me ceremoni shtetërore nga homologu i tij kroat, Andrej Plenkoviç.

Të dy dënuan sulmin e terroristëve në veri të Kosovës, gjatë një konference të përbashkët për mediat.

Ata kërkuan masa urgjente nga Bashkimi Evropian dhe Perëndimi, pasi nuk mund “të lejohet” që Beogradi t’i shndërrojë në heronj ato “kriminelë”.

Të dielën e 24 shtatorit, rreth 30 sulmues të armatosur vranë rreshterin Afrim Bunjaku në Banjskë në veri të Kosovës.

Numri një i Qeverisë në vizitën e tij zyrtare në Zagreb, theksoi se sulmi është po aq shqetësues sa edhe reagimi i Beogradit.

“Kemi një krim, vrasjen e një oficeri policie dhe kemi heroizimin e atyre që e kanë kryer”, tha Rama, duke nënvizuar se kjo nuk duhet të jetë e pranueshme në Evropë, e cila ka vlera të kundërta.

Nga ana tjetër, Plenkoviç theksoi se këto lëvizje “nuk mund të mbeten pa përgjigje” dhe se vendimi i Beogradit për ditën e zisë “pothuajse nënkupton identifikimin me atë që ka ndodhur”.

Ai ka theksuar se do të vijojë një hetim për të përcaktuar plotësisht se çfarë ka ndodhur dhe më pas i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të bëjë propozime për masa.

Kryeministri kroat theksoi se është i sigurt se masat do të merren dhe Rama kërkoi që ato të zbatohen “pa humbur kohë”, sepse vendimi i Beogradit për ditën e zisë nuk lë vend për interpretime të ndryshme.

Për Plenkoviç, e gjitha nuk ka ndodhur rastësisht dhe incidenti është shumë serioz. Ka madje sinjale shumë të forta se ka forca, të cilat duan destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Mbi këtë, ai shton se reagimi ndërkombëtar duhet të jetë “i qartë dhe i fortë” dhe Evropa duhet të përpiqet të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të gjendjes.

Plenkoviç dhe Rama kërkojnë që të merren urgjentisht masa ndaj Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore