Shqipëria

Politika uron besimtarët: Gëzuar Pashkët!


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, uroi të gjithë besimtarët katolikë për ditën e Pashkëve.

“Gëzuar Pashkët nga Fieri”, shkruan kreu i qeverisë në një postim në median sociale Facebook. Rama ka postuar një foto të vezëve të Pashkëve, të cilët janë simbol i kësaj dite për besimtarët katolikë.

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, uroi të gjithë besimtarët katolikë e ungjillorë për Pashkët.  

“Gëzuar nga mot Pashkën! Drita e Hyjit të ndriçojë përherë zemrën dhe familjet Tuaja”, uron Meta.

Presidenti rikujton se ky është viti i dytë që besimtarët festojnë Pashkët larg njëri-tjetrit për shkak të COVID-19.

“Pandemia, për të dytin vit, na detyron të kremtojmë larg njëri-tjetrit fizikisht, por shumë më afër shpirtërisht, këtë festë të shenjtë dhe frymëzuese, që lajmëron triumfin e jetës mbi vdekjen, të së mirës mbi të keqen, të dritës dhe të shpresës mbi errësirën dhe dëshpërimin, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë dhe gënjeshtrën, të humanizmit e dhembshurisë mbi babëzinë dhe arrogancën”, shkruan Meta në median sociale Facebook.

Meta shprehet me bindje se ditë më të mira do të vijnë.

“Ditë më të mira na presin dhe do të vijnë patjetër! Mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia mbizotëroftë tek çdo familje! Gëzuar Pashkët”, shkruan presidenti në fund të urimit të tij.

 

 Po ashtu, edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, uroi ditën e Pashkëve nëpërmjet një postimi në “Facebook”.

“Gëzuar Pashkët”, shkruante ministrja  e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, uroi besimtarët nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Nga zemra ju uroj Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve katolikë”.

Basha nënvizon se “sot, kur si asnjëherë më parë jemi në udhëkryq, të gjithë së bashku le të gjejmë forcën për të kapërcyer çdo vështirësi me zemrat e mbushura me besim se aspiratat tona do të bëhen realitet”.

“Zoti e bekoftë Shqipërinë. Për shumë vjet gëzuar”, përmbyll Basha urimin e tij.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, uroi të gjithë besimtarët për ditën e Pashkëve.

“Gëzuar Pashkët! Paqja dhe harmonia mbizotërofshin gjithmonë në familjet tuaja”, uron Denaj në Twitter.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, uroi të gjithë besimtarët katolikë për Pashkët.

Kryemadhi nënvizon se këto  “janë Pashkët e Ringjalljes dhe të çlirimit nga e keqja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore