Shqipëria

Rama thotë se kush cenon stabilitetin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi është i rrezikshëm, nuk do të lejojë kënd ta kthejë Ballkanin pas në kohë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një publikimi në median e tij sociale “X”, e ka etiketuar këdo që kërkon të minojë stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si të rrezikshëm dhe të papranueshëm dhe ka deklaruar forcërisht se nuk do ta lejojë askënd ta kthejë Ballkanin pas në kohë.

Në shkrimin e kryeministrit shqiptar, përmendet se si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë të treja pjesë e aleancës së madhe të NATO-s dhe se si vendet janë të përkushtuara për sigurinë dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

“Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon, atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku!”, përforcon ai.

Ndërsa, në fund, e saktëson se e vetmja e ardhme e përbashkët e rajonit, është Evropa e Madhe.

Një përgjigje kjo direkte, sa duket mbi komentet e ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, i cili tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe kërcënoi hapur me destabilizimin e rajonit.

Madje, duke marrë edhe shembull se këto dy vende mund të goditen si Ukraina.

Ky reagim i Ramës ndërkaq, vjen edhe pas një vizite që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar javën e shkuar në Maqedoninë e Veriut, ku ka kryer takime me partitë opozitare shqiptare, të cilat janë edhe forca të vogla politike në faktorin maqedonas në tërësi.

Dy komuna, ajo e Çairit dhe e Tetovës, udhëhiqen nga një bllok i sapoformuar me parti shqiptare, të cilët synojnë të jenë kundër Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Qeverisë maqedonase, në të cilën BDI-ja përbën edhe një pjesë të mirë të kabintetit, përfshi poste me rëndësi të lartë.

Vizita e Kurtit, nga politikanë të shumtë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, është parë si përçarëse.

Megjithatë, jo domosdoshmërish statusi i kryeministrit Rama lidhet me këtë, pasi mbrëmjen e 21 gushtit, pritet që në Greqi të zhvillohet edhe një darkë informale me liderë rajonalë, ku Shqipëria do të jetë e vetmja e papërfaqësuar nga Ballkani.

Darka e Ballkanit Perëndimor në Athinë mes mosmarrëveshjeve Greqi-Shqipëri

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pavarësisht se Shqipëria politikisht udhëhiqet nga kryeministri, ka vendosur që në takim të thërrasë Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Ky i fundit megjithatë, për shkak të agjendës tjetër, nuk ka mundur të jetë pjesë e takimit.

Fakti se vetë Rama nuk ka qenë i ftuar, është lidhur me tensionet e fundit mes dy Qeverive për çështjen e burgosjes së Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili akuzohet për shitblerje votash lidhur me vendoret e 14 majit.

Nga ana e Greqisë, përtej deklaratave për lirimin e tij, ka pasur edhe kërcënime direkte për ndërhyrje në procesin integrues të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe bllokimit të fondeve evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore