Shqipëria

Rama takohet me komisionerin e Bujqësisë të BE-së, në fokus IPARD-i


Komisioneri përgjegjës për Bujqësinë e Bashkimit Evropian, Janusz Wojciechowski është takuar të mërkurën me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Lajmi u bë i ditur nga komisioneri evropian, duke cituar reagimin e tij në median sociale “X”.

Sipas tij, tema kryesore e takimit ishte Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit për mbështetjen e Zhvillimit Rural (IPARD) në Shqipëri dhe negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë.

Mbikëqyrësi Evropian (OLAF) zgjodhi të mos komentojë lidhur me hetimin e fondeve IPARD II në Shqipëri, duke qëndruar hermetik në ruajtje dhe mbrojtje të konfidencialitetit të çështjes.

“Ne nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja. OLAF zakonisht nuk jep komente për rastet që mund ose nuk mund të trajtojë. Kjo për të mbrojtur konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm dhe të procedimeve të mundshme gjyqësore që pasojnë, si dhe për të garantuar respektimin e të dhënave personale dhe të drejtave procedurale”, deklaroi për Albanian Post zyra e shtypit e OLAF-it.

Kujtojmë që Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit heton mashtrimin kundër buxhetit të BE-së, korrupsionin dhe keqpërdorimet serioze brenda institucioneve evropiane dhe zhvillon politikë kundër mashtrimit.

Kjo strukturë është pjesë e Komisionit Evropian, por ka pavarësi operacionale.

Në vitin 2022, OLAF mbrojti 600 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së, duke rekomanduar rikuperimin e mbi 426 milionë eurove në buxhetin e BE-së nga mashtrimet dhe parregullsitë, dhe duke mbrojtur 200 milionë euro të tjera.

KE-ja konfirmon ndërprerjen “e përkohshme” të fondeve bujqësore për Shqipërinë

Situata

Sa i përket situatës së krijuar, Albanian Post komunikoi me njohësin e politikave dhe proceseve të fondeve evropiane për bujqësinë, profesor Ilir Pilku.

Fillimisht ai sqaron se “procesi i korrupsionit është në hetim e sipër dhe akoma nuk kemi një vendim përfundimtar”.

“Edhe nëse vjen një vendim final, qeveria ka të drejtën e mos-pranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese. Nëse pas diskutimeve të mbrojtjes dhe dakordësimit të shumës së faktuar, detyrimi për rikthim fondi i mbetet qeverisë shqiptare bazuar në një proces të veçantë. Subjektet e identifikuara kalojnë në proces hetimor”, thotë ai për AP-në.

Pilku ravijëzon se zakonisht “nuk përbën asnjë problem apo kërcënim për ato projekte të kontraktuara, procesi i tyre do vazhdojë ashtu siç ka qenë. Në çdo rrethanë të kundërt, ato kanë të drejtën të padisin në Gjykatën Administrative autoritetet zbatuese. Nuk diskutohet rimbursimi i tyre, i jo-fajtorëve”.

Ndër të tjera, ai bën me dije se këto fonde janë përkohësisht të bllokuara për arsye të dyshimeve gjatë implementimin të IPARD-2 dhe si i tillë, për profesorin “masat e mbështetjes nuk janë ri-akredituar”.

“OLAF ka qenë dhe herë të tjera në Shqipëri për identifikimin e rasteve në sektorë të tjerë të ekonomisë, ka dhënë rekomandime apo masa penalizuese. Ky është proces pune i tyre, i njëjtë me rolin e KLSH-së. Bllokimi i fondeve grant të BE-së për bujqësinë është një lajm i keq kombëtar dhe kryesisht për fermerët dhe përpunuesi që kanë plane investimi”.

KE pezulloi fondet për bujqësinë në Shqipëri, Ministria: Puna s’është ndërprerë, programi vazhdon

Çfarë është IPARD II?

IPARD II është Instrumenti i Bashkimit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit për zhvillimin e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit.

Më 29 tetor të 2018 Shqipëria u përgatit të niste aplikimet që u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve vendas akses në fondet e BE-së pasi Komisioni Evropian dha zyrtarisht dritën jeshile për fillimin e zbatimit të IPARD II.

IPARD II u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kishin akses në 71 milionë euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – e cila do të plotësohet me 23 milionë euro nga qeveria shqiptare.

Kjo, duke vënë në dispozicion gjithsej 94 milionë euro fonde për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural.

Tre fushat e mbuluara nga IPARD II përfshinin investimet në asetet fizike të njësive bujqësore, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit dhe diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore