Shqipëria

Rama ta mësojë nga Elisa vallëzimin e Shkodrës


Fitorja e Shkodrës ka qenë ndoshta ajo më e rëndësishme në zgjedhjet e 14 majit për të majtët, ku Partia Socialiste, për të parën herë në 32 vjet demokraci, ka arritur të marrë bashkinë kryeqendër të veriut dhe me një ndryshore të madhe votash përballë rivalëve të djathtë.

Shkodra në fakt është edhe bastioni i fundit demokrat (me rëndësi) që bie në këto zgjedhje dhe si i tillë, nuk mundet të mos festohet prej socialistëve.

E të parët – me meritën e padiskutueshme – të cilët e hedhin “vallen” e majtë (literalisht në fakt), janë drejtuesja politike e qarkut verior, ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila ka pasur kontributin e saj të spikatur në gjithë muajt e fundit të parafushatës dhe fushatës, si edhe kryetari i sapo zgjedhur i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili për të vënë veten në provë, e la edhe mandatin e deputetit.

Hare e valle popullore shkodrane. Nën këto ritme është zhvilluar festa e parë socialiste.

Në të, mungonte për shkak të agjendës me politiken e Jashtme kryeministri Edi Rama, mirëpo ky i fundit – ashtu siç e ka përmendur pas fitores së madhe në 53 bashki të vendit – do ta nisë pikërisht nga kryeqendra e veriut një fushatë falënderimesh.

Ai pritet të jetë në Shkodër të premten e 19 majit, për t’i treguar shkodranëve se besimin e pas 32 vjetëve demokraci, do t’ja shpërblejë me plane konkrete, të cilat duhet dhe do ta bëjnë Shkodrën një qytet model të rajonit.

Kështu e ka përkufizuar planin edhe kryetar i zgjedhur, Beci, i cili me projektin “pozitiv”, kërkon ta bëjë Shkodrën kryeqendër të rajonit.

Në festë, nuk munguan edhe figura me rëndësi për qarkun verior, përfshi deputetin e kthyer në socialist në janar, Agron Çela, apo prefekten shkodrane Majlinda Angoni, e cila një vit më parë nuk arriti t’i mposhtte të djathtët.

Pozitive gjithsesi nuk ishte vetëm fushata e PS-së, por sa duket edhe gjithë atmosfera shkodrane, e cila nesër Ramën, me shumë mundësi, sërish me valle e variete popullore do ta presë kryeministrin.

Por tani, edhe ai, duhet ta lërë pas “tallavanë” e Erion Veliajt dhe të kthehet për nga vallja Shkodrane. Le ta mësojë nga Elisa se si vallëzohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore