Sport

Rama përshëndet juventinët, por bën tifo për Romën: Do bëjmë të pamundurën të ngremë flamurin italian në “Air Albania”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka paraprirë një interviste të tijën në gazetën sportive italiane “TuttoSport”, nëpërmjet një videomesazhi po për median italiane, ku ka theksuar se e gjithë Shqipëria do të bëjë tifozeri për ekipin e Romës, në finalen e UEFA Conference League, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” më 25 maj.

“Përshëndes të gjithë juventinët së pari”, e nis kryeministri videomesazhin e tij për “TuttoSport”, duke qenë se ai vetë është një tifoz i deklaruar i ekipit italian të Juventusit. “Të gjithë do të jemi tifozë me Romën këtu me Shqipëri”.

Më tej, Rama vijon duke thënë se për fat të keq, vetëm ekipi kryeqytetas italian, po e mban lart flamurin e futbollit italian në Evropë momentalisht. Një dorë për këtë sipas tij, do ta japë edhe vendi ynë.

“Shqipëria do të bëjë të pamundurën që të ngrihet flamuri italian në piedestalin e futbollit evropian, në finalen e Conference League”, shtoi kreu i Qeverisë.

Ndërsa, në mbyllje të mesazhit, i ftoi të gjithë romanistët të vizitojnë Shqipërinë dhe mbi të gjitha, “një prej stadiumeve më të bukur të Evropës”.

Përballë, ekipi i Romës do të ketë atë holandez të Feyenoord-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore