Lajme

Rama për pronat komunale: S’do të shfrytëzohen pa leje e kompensim


Kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ka deklaruar se nuk do të lejoj shfrytëzimin e pronave komunale pa ndonjë kompensim.

Gjatë shqyrtimit të rekomandimeve të komisioneve për verifikimin dhe vlerësimin e kontratave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, Rama theksoi se “një gjë e tillë më nuk do të ndodh”.

Ai tutje ka sqaruar se për këtë ka formuar tri komisione profesionale të cila kanë dal me një varg rekomandimesh.

“Kam themeluar tre Komisione për pronën komunale, për një temë kaq të rëndësishme. Një numër i madh i këtyre pronave është shfrytëzuar por kryeqyteti nuk ka pasur ndonjë të mirë”.

“Tash pronat që janë të kryeqytetit do të rregullohet dhe do të jenë në të mirë të qytetarëve”, tha Rama.

Teksa shefi i Zyrës Ligjore Arben Kqira, u shpreh se Komisioni profesional për verifikimin dhe vlerësimin e kontratave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale ka rishikuar 6 kontrata.

Duke folur për ato kontrata tha “se kanë pasur problem për mbledhjen e informacioneve për dy kontrata”.

“Komisioni gjatë kësaj periudhe ka pasur vështirësi sidomos me këto kontrata, sepse kemi pas mungesë të informacionit për të ardhur deri të gjetjet. Është paraqitur edhe raporti”, tha ai.

Gjatë mbledhjes janë përmendur dy biznese si shfrytëzues.

Këtyre dy bizneseve me vendim të vitit 2000 fillimisht u është ndarë një sipërfaqe prej 3,949m2, të njëjtit shfrytëzojnë 1 hektar, njëri biznes shfrytëzon mbi 9,912 metra katror, derisa një biznes tjetër 4,200 metra katror.

Për këto kategori komisioni ka rekomanduar që të zbatohet dispozita e nenit 5 për dhënie  në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës.

Dhënie në shfrytëzim e këtyre sipërfaqeve pra mbi 3,900 metra katror të jetë për 1 vit dhe në dakordim me palën të bëhet pagesa e qirasë për tokën e dhënë në shfrytëzim.

Kurse në kategorinë e dytë janë shfrytëzuesit me afate të caktuara ku janë 16 të tillë, secili prej tyre shfrytëzon më shumë sipërfaqe se që u është dhënë.

Shumica e këtyre kontratave kanë qenë në afat për tre vite e skadim në vitin 2012.

Sipërfaqja totale që u është ndarë këtyre bizneseve është 2.2 hektarë por shfrytëzojnë diku 2.9 hektarë, pra 70 ari më shumë.

Nga viti 2012 ku kanë skaduar këto kontrata komuna ka humbur 366 mijë euro.

Gjithashtu edhe për këtë kategori rekomandohet neni i lartpërmendur, pra të jepen në shfrytëzim për një vit dhe të paguhet renta për komunën vetëm për pjesën që është lëshuar vendimi në fillim.

Ndërsa në kategorinë e tretë janë shfrytëzuesit pa dokumentacion që shfrytëzojnë pronë komunale pa ndonjë bazë ligjore, pra 4.4 hektarë.

Kategoria e katërt është sqarimi i çështjes së pronësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore