Shqipëria

Rama për Politico-n: Pas sulmit kibernetik u menduam për Nenin 5 të NATO-s, ishte njësoj si bombardimi


Shqipëria u godit nga sulme kibernetike aq shkatërruese sa qeveria mendoi edhe për Nenin Pesë të NATO-s që mund t’i kishte çuar të gjitha vendet anëtare në konfrontim me Iranin.

Ishte kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë me prestigjiozen “Politico”.

Rama tha se në fund Qeveria e tij vendosi të mos e ndërmerrte atë veprim.

Kjo pasi do të rrezikonte një përshkallëzimin dhe do të antagonizonte aleatët e fuqishëm.

“Ne jemi gjithmonë shumë të kujdesshëm që të jemi shumë të përulur në vlerësimet tona”, tha kryeministri i vendit nga zyra e tij në Tiranë.

Për Ramën, sulmi i korrikut – i cili e detyroi vendin të mbyllte faqet e internetit shtetërore – ceku kufijtë.

“Është si të bombardosh një vend”, u shpreh kryeministri për sulmin kibernetik, i cili u atribuohej gjerësisht hakerëve iranianë.

Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin si kundërpërgjigje – që besohet se është hera e parë që një komb e ndërmerr këtë hap për shkak të një sulmi kibernetik.

Por, Rama vendosi të mos e çonte incidentin në NATO.

“Ishte e tepërt për ne të mendojmë dhe të arrijmë në vendimin se duhet t’i kërkojmë NATO-s aktivizimin e Nenit Pesë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se vendin e tij e presin më shumë sulme nga Irani dhe po punon për të forcuar mbrojtjen kibernetike.

Politico shpjegon se momenti se kur një sulm kibernetik mund të çojë në thirrjen e Nenit Pesë është e paqartë.

“Më pyesin shpesh, në çfarë rrethanash NATO do të nxiste Nenin 5 në rastin e një sulmi kibernetik? Përgjigja ime është: do të shohim”, tha Stoltenberg dikur.

Sipas Politico-s, sulmet kibernetike iraniane mund të kenë shkaktuar përçarje të gjerë, por nuk çuan në ndonjë vdekje ose shkatërrim të përhershëm të sistemeve.

“Këto fakte, të shoqëruara me madhësinë më të vogël të Shqipërisë për sa i përket gjeografisë dhe popullsisë, e bënë edhe më të largët thirrjen e Nenit”.

Më herët kryeministri pati deklaruar se është mjaft shqetësuese që sulmi kibernetik iranian ndodhi ndërkohë që reagimi i përbashkët i mbrojtjes ende nuk është aty ku duhet.

Asokohe, ai theksoi se sa i takon përgjigjes së NATO-s mbi këtë sulm kibernetik, fokusi është tjetërkund.

“Ne kemi preferuar pikë së pari të ndërtojmë jo thjesht ndërgjegjësim por të ngremë një aleancë për mbështetje sepse ajo për të cilën kemi nevojë tashmë është të përshpejtojmë të gjithë planet tona për të ndërtuar një mbrojtje kibernetike të fjalës së fundit”, nënvizoi kryeministri.

NATO

Sakaq, Këshilli i Atlantikut të Veriut la të hapur mundësinë që aleanca mund të marrë në konsideratë “përgjigjen e mundshme kolektive”.

Kjo, kundër aktiviteteve keqdashëse kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim mbrojtjen tonë kundër aktiviteteve të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar spektrin e plotë të kërcënimeve kibernetike, duke përfshirë marrjen në konsideratë të përgjigjeve të mundshme kolektive”, vërente njoftimi i NATO-s.

Mbrojtja kolektive, të cilit i referohet NATO në këtë rast, do të thotë që një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë aleatëve.

Parimi i mbrojtjes kolektive është i përfshirë në nenin 5 të Traktatit të Washington-it.

NATO thirri nenin 5 për herë të parë në historinë e saj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

Aleanca ka marrë masa mbrojtëse kolektive në disa raste, duke përfshirë përgjigjen ndaj situatës në Siri dhe pushtimit rus të Ukrainës.

Shqipëria

Qeveria shqiptare deklaroi të mërkurën e 7 shtatorit se kishte urdhëruar diplomatët dhe stafin iranian të mbyllnin ambasadën dhe të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Rama tha se sulmi kibernetik i korrikut ka “kërcënuar të paralizojë shërbimet publike, të fshijë sistemet dixhitale dhe të hakojë të dhënat shtetërore, të vjedhë komunikimin elektronik të qeverisë në intranet dhe të shkaktojë kaos dhe pasiguri në vend”.

Washington-i, aleati më i afërt i Shqipërisë, fajësoi gjithashtu Iranin për sulmin dhe premtoi “të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-ve”.

Teherani zyrtar ka dënuar ashpër vendimin e Tiranës për të ndërprerë marrëdhëniet e saj diplomatike duke i quajtur si “pretendime të pabaza” arsyet e Shqipërisë për këtë masë.

Diplomatët iranianë dogjën gjatë orëve të para të 8 shtatorit dokumentet, orë përpara se të largoheshin nga vendi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani hodhi poshtë “kategorikisht” më herët akuzat kundër Iranit në lidhje me sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

“Ne hedhim poshtë kategorikisht akuzat në lidhje me një tjetër sulm kibernetik ndaj Shqipërisë dhe rezervojmë të drejtën për të ndjekur këto akuza”, theksoi zyrtari iranian.

TIMS

Mbrëmjen e 10 shtatorit sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë, pra Irani.

“Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacenueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal”.

Sistemi i menaxhuar i kontrollit të kufijve, TIMS, prej vitesh po përdoret në Shqipëri.

Ai bën të mundur që asnjë person me precedentë penal, apo i dënuar nga autoritete shqiptare dhe të huaja të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj.

Kjo, pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazën për të gjithë shtetasit si dhe të gjitha informacionin e sistemit të Interpolit.

Sulmi i Iranit/ Rama: Reagimi i përbashkët i mbrojtjes nuk është ende aty ku duhet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore