Lajme

Rama për BBC: Retorika britanike për emigrantët po nxit ksenofobinë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar ashpër “retorikën” britanike që fajëson shtetasit shqiptarë për krimet në Mbretërinë e Bashkuar dhe problemet kufitare.

Duke folur për “BBC Newsnight”, Rama tha se gjuha e përdorur nga disa politikanë dhe media britanike “po nxiste ksenofobinë” dhe po veçonte pakicat.

Ai shtoi se ndihej “i neveritur” duke e përshkruar gjuhën e përdorur nga zyrtarët si “krejtësisht jo-britanike”.

“Duhet përshpejtuar largimi i shqiptarëve nga Mbretëria e Bashkuar”, ishte kjo deklarata e sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, që solli edhe reagimin fillestar të kryeministrit Rama.

Numri një i Qeverisë shtoi se Britania ishte një model për integrimin e pakicave, por tani po kthehet në “një çmendinë”.

Rama tha se Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave.

“Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri”.

Për kryeministrin 70% e 140 mijë shqiptarëve që janë shpërngulur në Mbretërinë e Bashkuara jetonin në Itali e Greqi, dhe 1 mijë e 200 prej tyre janë njerëz të biznesit.

Ai specifikoi se shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa.

Rama solli në vëmendje se Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE.

Kreministri ngre një paralele me situatën e krijuar në Gjermani, kur nisi fluksi i emigrantëve në vitin 2013, dhe Gjermani përfundoi duke i “shtrënguar sistemet e veta”.

“Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos u përgjigjur me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit”.

Ndërkohë, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, ka zhvilluar një takim më kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Lajmi u bë me dije nga vete Cleverly, i cili e cilësoi si një takim “të rëndësishëm”.

Ai shkruan se së bashku me Ramën janë pajtuar ta thyejnë zinxhirin e kontrabandistëve të njerëzve, që po vënë jetën në rrezik.

“Ne diskutuam gjithashtu energjinë dhe sigurinë rajonale”.

Sekretari britanik shprehet se Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria mbeten aleatë të ngushtë në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore