Shqipëria

Rama pas takimit me Thaçin: Çmallje e nevojshme, kjo ishte rruga e pashmangshme për të provuar pastërtinë e UÇK-së


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në burgun e Hagës deklaroi se “kjo vizitë ishte një çmallje e nevojshme”.

Në vijim, kreu i qeverisë bëri me dije se “Presidentin Thaçi e gjeta në top formë dhe i bindur, mbase dhe më shumë, se kur e kam takuar më parë se të vinte këtu, se kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë, pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, të udhëheqësve të UÇK-së”.

Sipas tij, lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet, as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera, pasi është në “kornizën e artë të heroizmit, sakrificave dhe gjakut të dhënë”.

Kjo, për një Kosovë demokratike, të lirë dhe sovrane.

Në orën 11:30, kryeministri shqiptar do të niste vizitën e tij, e cila zgjati dy orë e gjysmë.

Vizita e Ramës mund të konsiderohet si një ndër më interesantet që ka zhvilluar një kryetar qeverie në historinë politike.

Ish-presidenti i Kosovës u paraqit këtë të martë në seancën e radhës në Gjykatën Speciale në Hagë, ku u deklarua i pafajshëm.

Historia ka dëshmuar se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është vizituar nga krerë qeveritarë vetëm për takime formale.

Mund të sjellim shembullin e kryeministrit holandez, Mark Rutte, në vitin 2011 apo ish-kryeministren norvegjeze, Erna Solberg, në vitin 2015.

Por, asnjë agjendë e tyre nuk përmbante një kornizë të tillë politike dhe miqësore.

Burgu, ku po mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjendet jashtë Hagës, në periferi të Scheveningen-it.

Haaglanden është një burg unik në Holandë, pasi është i vetmi që ka një qendër kujdesi për të paraburgosurit.

Vizita e vitit 2020

Takimi i fundit mes palëve datonte më 29 qershor të vitit 2020 – tre muaj para se Gjykata Speciale në Hagë të konfirmonte aktakuzën ndaj Thaçit.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Prishtinë, Rama do të pritej edhe nga presidenti – asokohe – i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri shqiptar shoqërohej nga ish-ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Qëllimi i vizitës së Ramës ishte pikërisht “për të mësuar më shumë” në lidhje me aktakuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Aktakuza

Më 26 tetor të vitit 2020, në Gjykatën Speciale në Hagë u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se ish-krerët e UÇK-së dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën.

Kjo, përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e supozuara të luftës së ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 29 prill të 2022, e njëjta zyrë do të dorëzonte aktakuzën e ndryshuar kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Në njoftim thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja.

Këto të fundit u referohen krimeve që pretendohet të jenë kryer në Gjilan dhe në fshatrat e Suharekës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore