Shqipëria

Rama: Paratë për bujqësinë jo kuturu, investime strategjike


“Paratë për bujqësinë jo kuturu, por janë investime strategjike. Sot punohet 255 mijë hektarë – dyfishi që prej vitit 2013”.

Kështu u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e 21 nëntorit në një takim me fermerët në prezantimin e “Buxhetit 2022 për Bujqësinë”.

Rama në fjalën e tij u ndal të protesta e fermerëve për heqjen e rimbursimit prej 6%. E gjitha kjo, sipas Ramës ka ardhur, pasi synohet që ky rimbursim t’i bashkohet buxhetit për fermerët, që të shpërndahet në mënyrë të barabartë.

Në vijim ai tha se rimbursimi kontrollohej nga grumbulluesit dhe shifra në fund arrinte vlerën prej rreth 9 milionë dollarë.

Prandaj sipas tij kjo shifër do të menaxhohet nga shteti në mënyrë që të shpërndahet e barabartë te të gjithë fermerët.

“Këto para, të cilat kontrolloheshin nga grumbulluesit, tani të shkojnë drejtpërdrejt për produktivitetin – jo duke u marrë nga buxheti i shteti, por duke ja dhënë Ministrisë së Bujqësisë për mbështetje. Pra synohet rritja e produktivitetit”.

Kreu një i qeverisë shqiptare u ndal dhe te sistemi i vaditjes, ku bëri me dije se janë rehabilituar 40 diga.

Po ashtu, sipas tij, synimi i qeverisë është rritja e eksporteve. Përkatësisht, tha ai, “kemi arritur vlerën prej 400 milionë eksporte dhe synimi është 1 miliard”.

“E kemi rritur kapacitetin për të financuar bujqësinë sepse e kemi rritur kapacitetin për të marrë financime nga Bashkimi Evropian”, ravijëzoi Rama.

Ndërkaq, Rama theksoi se po punohet për një sistem mikro-sigurimi, që ti kushtojë në minimum prodhuesit dhe fermerëve dhe që prodhimi i tyre të mos shkojë kot në rast fatkeqësisht nga ku do të mbrohen prej shtetit.

Sipas tij, prodhuesit duhet të orientohen të kuptojnë tregun dhe synimi është për një bujqësi të digjitalizuar dhe inovative.

“Një sistem i sigurimit i kombinuar me teknologji. Sot bota cilësinë dhe garancinë e produktet e kontrollon me satelitët dhe jo me inspektor. Dhe ky është një tjetër komponent që të do mbulojnë satelitët tanë që do vendosen në hapësirë në mars”.

Një tjetër pikë që Kryeministri përmendi ishte se rritja e prodhimit do të nxisë forcën punëtore, të ardhurat dhe ekonominë.

“Rritja e prodhimit kërkon rritje të fuqisë punëtore. Ne nuk jemi ende në fazën ku teknologjia po zëvendëson njeriun”.

Ndër të tjera Rama foli dhe për përfitimet që do të ketë sektori i bujqësisë pas nënshkrimit të marrëveshjes në fund të vitit në kuadër të nismës rajonale të kurorëzuar “Open balkan”.

“Në kuadër të Ballkanit të Hapur do të bëhet i mundur tregtimi i kafshëve të gjalla për prodhimin e mishit. Do të mund të tregtohet mishi dhe ushqimet blegtorale”.

Ndërsa për sa i përket “Akademisë së barinjve”, Rama tha se shtetet e tjera e kanë. “Do të vihen në dispozicion strukturat për t’i mbledhur çdo vit duke iu dhënë informacione për tregun, mënyrën se si do të funksionojë. Si do e avancojmë ne sektorin nëse nuk dimë se si ta tregtojmë?”.

Pamje nga fermat e serave në Shqipëri.

Në përfundim ai ritheksoi se një ndër kushtet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian ka të bëjë me eksportin e mishit.

“Prodhimi dhe shitja e mishit është një ndër kushte për tu futur në BE. Standarti i mishit është i rëndësishëm dhe mënyra si tregtohet dhe eksportohet”, e përmbylli fjalën e tij kryeministri Rama.

Fjala e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Bashkë më Ramën e pranishme ishte edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

“Synojmë të arrijmë rritjen e eksportit, rritjen e përmbajtjes së serave, fuqizimin e fermave të mëdha, forcimin e agropërpunimit, rritjen e mekanizimit dhe teknologjitë inovative”, tha Krifca në fjalën e saj.

Krifca tha se ajo është në një anë fermerët dhe se, “heqja e 6% e tvsh-së së rimbursueshme ka ardhur për mbështetje të drejtpërdrejtë për të ulur koston e prodhimit”.

Prioritetet e këtij buxheti, sipas Ministres, kanë të bëjnë me mbështetjen qeverisë ndaj këtij sektori, si: “garantimi i sigurisë ushqimore, rritja e eksporteve, qëndrueshmëria e turizmit rural, digjitalizimi dhe inovacioni”.

“7.1 miliardë lekë do të shkojnë për mbështetjen dhe investimet për zhvillimin rural”, bëri me dije ajo.

Ministrja shtoi se buxheti i vitit 2022 do të vazhdojë në mbështetjen e fermerit për naftë dhe në shtimin e kulturës së ullirit.

Në përfundim ajo tha se do të ketë një partneritet më të ngushtë me Universitetin Bujqësor si dhe për fermerët do të ketë një fond garancie për çdo rast fatkeqësie – e cila do merret në formë kredie.

“Do të financojmë projekte për bujqësi të digjitalizuar, me vlerë rreth 103 milionë lekë, që do të ndihmojnë në ngritjen e regjistrave të fermës, të sistemeve të aplikimeve online, duke ulur barrën për aplikantët dhe rritur transparencën”, e përmbylli ministrja Krifca fjalën e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore