Shqipëria

Rama pa ‘fjalim fitoreje’ ndihet ‘i vogël’ – Pret me padurim vizitën e parë në Shkodër dhe kritikon KQZ-në


“Ndihem shumë i vogël përballë hartës së fitores”.

Kanë qenë këto fjalët e para të kryeministrit Edi Rama, pas një fitoreje të madhe që ai dhe Partia Socialiste, kanë korrur në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Piketa kryesore ndërkaq është ajo e “qershisë mbi tortë” në votime për të majtët, fitimi i Shkodrës – i pari në 32 vjet demokraci – ku ai pret me padurim të shkojë e ta shohë nën drejtimin e socialistit Benet Beci.

“E kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër, për të nisur nga qyteti më i bekuar nga zoti dhe më i keqtrajtuari nga robi”, vijoi më tej ai.

Megjithatë, nuk ngurroi t’i kujtonte të gjithëve “me përulje” se zgjedhjet janë vendore dhe tani që gjithçka përfundoi, puna duhet të prevalojë.

Këtë thirrje ja bëri mbi të gjitha kryetarëve socialistë për bashkitë, deputetëve dhe drejtuesve të qarqeve të forcës së majtë politike, të cilët duhet të jenë falënderues ndaj popullit për mundësinë e dhënë për të shërbyer.

“Dështimi” i KQZ

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për performancën lidhur me identifikimin elektronik të zgjedhjeve, duke e quajtur atë edhe si “dështim spektakolak” të pafalshëm, i cili ka kushtuar miliona euro.

Kështu i është përgjigjur ai pyetjes se çfarë mendon mbi raportin paraprak të OSBE/ODIHR, lidhur me zgjedhjet vendore të 14 majit.

Rama përkufizoi se nuk e ka lexuar këtë raport, por theksoi se çështja e mosfunksionimit të pajisjeve në orët e para të mëngjesit dhe dekurajimi i votuesve për të ushtruar të drejtën e tyre kësisoj, është e rëndë.

“Kjo ishte e rëndë dhe tronditëse sepse pajisjet elektronike kanë kushtuar lekë. KQZ është për atë ditë, është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm. Nuk do e lëmë me kaq këtë çështje, as kur pamë skenat e pajisjeve që hidheshin si arka bosh. Miliona, miliona euro për të garantuar shqiptarët për një proces më të sigurt”.

Megjithatë, mbi akuzat se rezultati zgjedhor është deformuar, të cilat kanë ardhur nga opozita, ai i ka hedhur poshtë, duke thënë se “e kishte parashikuar se do të ndodhte, por jo se shpejtësia e mohimit të realitetit do të ishte aq e beftë pas procesit”.

Për rastin Beleri, Rama flet pasi të mbarojnë zgjedhjet në Greqi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të flasë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi për rastin e arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, i cili u shpall fitues me ndryshore shumë të vogël votash në Bashkinë e Himarës.

“Dua të respektoj zgjedhjet në Greqi, dhe të mirëkuptoj inflamimin e retorikës, duke u përpjekur për sa më shumë urtësi dhe vetëpërmbajtje nga ana ime e nga ana jonë”, theksoi ai lidhur me çështjen, e cila shënjoi thellësisht zgjedhjet e 14 majit.

Po ashtu, një precedent i ri është krijuar në Shqipëri, ku zgjedhjet për një bashki i fiton një person, i cili gjendet në paraburgim.

Për të ngritur urat e bashkëpunimit me Greqinë, Rama dhe Qeveritë që ai ka drejtuar kanë punuar shumë me palët greke, në fjalët e vetë kryeministrit.

Ndaj, mbi këtë premisë, ai ka deklaruar se nuk kërkon të bëjë reagimi disproporcionale.

Shansi sipas tij, duhet t’i jepet autoriteteve vendore të drejtësisë, për të zhvilluar punën, e cila nuk duhet paragjykuar.

“Dua të tregoj se institucione e drejtësisë në Shqipëri mund të kenë të metat e tyre, por askush, që nga unë i pari, s’i kemi kontestuar kurrë vendimet e tyre. Jo më pastaj të tjerë, nga jashtë Shqipërisë, që të vënë në pikëpyetje rolin e tyre”, shtoi më tej kryeministri.

Ndërsa, një paralelizëm, e ngriti edhe me rastin e ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, i cili po ashtu u arrestua disa ditë përpara fillimit të fushatës elektorale.

Në këtë rast, ai nuk i ka kontestuar organet e drejtësisë dhe ndaj, edhe të tjerët, në raste si ai i Belerit, nuk duhet të reagojnë pa maturinë e duhur politike.

I sigurt, është vetëm për një gjë gjithsesi: Minoriteti grek, nuk është mish për top!

Prandaj ai nuk replikon me palën greke për këto çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore