Shqipëria

Rama: As nuk e mendojmë që të hedhim Pfizer në gjykatë


“Nuk do të ndërmarrim asnjë masë apo hap drejt gjykatave kundër kompanisë Pfizer”, u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës në Rinas, ku priti këtë mbrëmje dozat e vaksinës Pfizer.

Rama deklaroi se Pfizer nuk e ka shkelur kontratën me Shqipërinë dhe sipas tij meriton vetëm mirënjohjen tonë.

“Skeduli kontraktual është fleksibël. Mund të ketë vonesa por dhe përshpejtime”, tha Rama.

Sipas tij lajmet kanë qarkulluar nga disa “qafira” që donin të helmonin sa më shumë popullin duke keqinterpretuar kontratën dhe duke thënë se “çdo gjë këtu është vetëm e zezë”.

“Ata vrapuan duke komentuar disa faqeve të shkëputura të kontratës, të marra vjedhurazi nga një draft, vrapuan të flasin me terma ekstrem se vaksinat po vikan për fushatë, për propagandë, për show, sepse në fakt pjesa e madhe e dozave nuk do të vijë, deri në vjeshtë dhe kështu janë përjashtuar nga vaksinimi 2 milionë shqiptarë, janë dënuar me vdekje”, u shpreh Rama.

Ai tha se vaksinat nuk mund të bëhen as për fushatë, as për propagandë, dhe aq më pak për t’i hedhur hi syve njerëzve në prag të zgjedhjeve. Sipas tij njerëzit do t’a shohin me kalimin e muajve si do vazhdojë procesi.

“Pfizer në këtë pikë meriton vetëm mirënjohje dhe respekt nga ne. Ne kemi raporte fantastike me kompaninë, megjithatë ne po negociojmë edhe me kompani të tjera”, tha ndër të tjera Rama.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore