Shqipëria

Rama: Nëse rusët pushtojnë Britaninë, ejani në Shqipëri t’iu mbrojmë nga Putin-i dhe Braverman-i


Në kalvarin e agjendës së vizitës së kryeqeveritarit Edi Rama në Britani ishte dhe bashkëbisedimi në Chatham House.

Kjo e fundit njihet gjithashtu si Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare dhe është një institut i pavarur politikash me seli në Londër.

Në retorikën e tij ironizuese ndaj përqasjes së autoriteteve britanike ndaj emigrantëve shqiptarë, Rama përfytyroi për një moment sikur rolet u këmbyen.

“Nëse rusët do të pushtojnë Britaninë, ju ejani tek ne, ne do t’ju mbrojmë nga Putini dhe nga Suella Braverman të dy, kjo është e sigurt”, u shpreh kryeministri shqiptar ndërsa shkaktoi të qeshura në sallë.

Më tej ai u ndal te raporti mes Bashkimit Evropian dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Problemi është se ne jemi të shqetësuar për Bashkimin Evropian më shumë sesa ata janë të shqetësuar për ne dhe me të drejtë sepse ata vërtet duhet të kujdesen në kuptimin që BE-ja duhet të kujdeset shumë sepse është një moment shumë përcaktues në historinë e familjes demokratike. BE-ja duhet të jetë mjaft e fortë, mjaft e qartë dhe elastike”, theksoi kreu i Qeverisë.

Sipas tij, është mirë që ka kujdesje ndaj Ballkanit Perëndimor, por “në Ballkanin Perëndimor jemi mësuar të mbijetojmë, nuk jemi të llastuar deri në atë pikë sa mund ta humbasim, mbijetojmë”, shtoi kryeministri.

Rama-Sunak

Kryeministri shqiptar Edi Rama është takuar të enjten e 23 marsit me homologun e tij britanik Rishi Sunak në “10 Downing Street”.

Kjo e fundit është rezidenca zyrtare dhe zyra e Kryeministrit britanik.

Gjatë takimit me Sunak, Rama u shpreh se emigrantët që udhëtojnë me varka “janë imazhi i asaj që po ndodh në botë”.

“Jam shumë i nderuar! Siç e dini, kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri shqiptar në këtë ndërtesë historike dhe jam falënderues për këtë. Është një moment i veçantë ky për bashkëpunimin. Siç e thatë, ne kemi bashkuar forcat me bindjen e plotë se na duhet të bëjmë maksimumin për të goditur rrjetet kriminale dhe gjithashtu për të shmangur që njerëz të pafajshëm të zihen në grepin e këtyre rrjeteve”, deklaroi fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, ashtu siç djali që vjen me një varkë nuk është thjesht një shqiptar, por pjesë e një tabloje më të gjerë, po kështu Dua Lipa nuk është thjesht një këngëtare britanike, por një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu si shumë të tjerë.

Ata, shtoi Rama, kanë ardhur të ndërtojnë, të kujdesen, të gatuajnë dhe të këndojnë dhe duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu.

“Mollët e kalbura janë objektivi ynë i përbashkët për t’u luftuar dhe për të fituar këtë betejë dhe siç e thatë edhe ju, sa i takon sigurisë ne jemi më shumë se të interesuar për të forcuar bashkëpunimin tonë”, theksoi Rama.

Në fund të fjalës së hapur për mediat e pranishme ai ftoi homologun britanik që të vizitojë Tiranën.

“Britania dhe Shqipëria kanë tashmë një partneritet të ngushtë dhe po pres me padurim që ti forcojmë edhe më tej ato marrëdhënie me ju sot. Gjatë vitit të kaluar ne biseduam për të ndëshkuar emigrimin e paligjshëm dhe jam i lumtur për progresin që kemi bërë në atë drejtim”, u shpreh nga ana e tij Sunak.

Sipas shefit të Ekzekutivit britanik, pritet që palët të diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik, tregtinë si edhe në fushën e sigurisë, specifikisht mbi sulmet kibernetike.

“Për të gjitha këto dhe më shumë jam i lumtur që do të diskutojmë së bashku, por së pari kënaqësi që ju pres këtu”, shtoi kryeministri britanik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore