Zgjedhjet në Shqipëri

Rama në Përmet: Nga vaksinimi, ujësjellësi, turizmi, deri tek infrastruktura


Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh dhe kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, të mërkurën e 7 prillit ka zhvilluar takime elektorale në qytetin e Përmetit.

Ai ka vëzhguar në qendrën e qytetit procesin e vaksinimit masiv, që po vijon edhe në qendrat shëndetësore të fshatrave.

Në vijim, Rama ka inspektuar edhe punimet në qytet, duke njoftuar se investimi për 24 orë ujë ka përfunduar.

Gjithashtu ka bërë me dije se po vazhdon dhe puna për shtrirjen e rrjetit të ri në zonën rurale, bazuar në planin e përmbylljes së furnizimit me ujë të pijshëm brenda vitit 2022.

“Këtu jemi në një realitet tjetër, uji është 24 orë dhe po shtrihet në gjithë pjesën me banim intensiv. Brenda vitit të ardhshëm edhe këtu qendra urbane, plus zonat e ish-komunave me intensitet popullsie do të kenë 24 orë ujë, sepse kantieret janë në punë”, ka thënë ai.

Në fushatën elektorale, kryetari i PS-së i ka dhënë rëndësi zgjerimit të zonës turistike dhe tregtare të Përmetit ku po zhvillohen dhe punime konkrete.

Përmeti, si pikë turistike

“Ne po punojmë që, pasi të zbresim fashat e moshave të vaksinimit, do të vijojmë në maj me të gjithë infrastrukturën e hotelerisë për të vaksinuar stafet. Është tërheqëse t’u thuash turistëve që hajde, ky staf është i vaksinuar”, ka thënë Rama, duke treguar kjo ka qenë kërkesë e vet industrisë.

Gjithashtu tregon që do të ndiqet e njëjta strategji për kufijtë e vendit.

“Kufirin me Kosovën do ta mbajmë hapur, pavarësisht se aty është ndërlikuar puna me numrat, për shkak të fushatës”, thekson Rama gjatë fjalës së tij, në takimin e zhvilluar me disa zonja sipërmarrëse të Përmetit në fushën e turizmit.

Sipas tij, edhe këtë vit, shqiptarët do ta kalojnë sezonin e verës në vendin e tyre.

“Do e keni më të lehtë sezonin, por prapë do të jetë një sezon ku shqiptarët do ta kalojnë në vendin e tyre, sidomos ata shqiptarë që iknin jashtë”, shprehet kryeministri.

Ndër të tjera ka shtuar se Shqipëria “nuk është shumë e njohur” nga pikëpamja e turizmit malor, ku “niveli i turistëve është mesatar ose i ulët”.

“Që të sjellim turistë që shpenzojnë shumë, edhe në mal duhet të krijojmë pikat e një turizmi që ofron më tepër, skitë janë A-ja, shoqëruar me elementë të tjerë. Kështu ishte edhe puna me bregdetin, kompania që ka ardhur për të ndërtuar në portin e Durrësit, kurrë nuk vinte të investonte në të kaluarën”.

Ndërkohë ka inspektuar dhe kantierin e rrugës Përmet-Çarshovë, e cila, sipas tij, do të zgjerojë ofertën turistike të Korçës, Përmetit e Gjirokastrës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore