Shqipëria

Rama: Kallëzimi i pabërë i Bardhit iu shit si sapun për djathë italianëve


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale X ka reaguar pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) bëri me dije se nuk ka një kallëzim të Gazment Bardhit kundrejt vëllait të tij, Olsi Rama.

Për Ramën, “kallëzimi i pabërë” iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit “të turpshëm për Shqipërinë”.

Kjo referuar publikimit të dokumenteve që emisioni në Rai 3 solli në lidhje me Olsin Ramën – të publikuara më parë nga Gazment Bardhi.

Kryeministri thotë më tej se letrat e kallëzimit inekzistent u janë ofruar si akte gjyqësore italianëve.

“Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallëzimit të pakallëzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë!”

Rama thekson se “s’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur”.

Sipas tij, nuk ka shans që kjo gënjeshtër “me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Evropës!”

Në fund të reagimit numri një i Qeverisë kishte dhe një mesazh: Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë.

‘Marifeti’ i Bardhit ndaj Olsi Ramës – Prova pa kallëzim, për të shmangur procesin për shpifje

Ka kallëzuar apo jo?

Kjo është çështja e ditës kur flitet për akuzat e ndërsjella mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe vëllait të kryeministrit, Edi Rama, Olsi Rama.

E gjithë gjullurdia erdhi në fakt pasi sot më 25 prill Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk e pranoi padinë e Olsi Ramës për kallëzim të rremë ndaj Gazment Bardhit.

Padia – ashtu siç u zbardh më vonë – nuk u pranua për çështje procedurale me argumentin se Bardhi nuk ka bërë një kallëzim në SPAK.

Sipas SPAK është verifikuar zyra e regjistrit dhe nuk rezulton që të jetë regjistruar ndonjë kallëzim penal me kallëzues shtetasin Gazment Bardhi dhe të kallëzuar shtetasin Olsi Rama.

Më pas ishte këshilltari për mediat i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Everest Dedaj, ai i cili deklaroi se Gazment Bardhi i ka dërguar informacion Prokurorisë së Posaçme për Olsi Ramën dhe vë në dispozicion dhe një dokument të datës 29 mars.

“Nuk është padituri por dashakeqësi si mënyra me e mirë për të vrarë opozitarizmin. Në datë  29.03.2024, Gazment Bardhi, i ka dërguar Informacion SPAK, për fillimin e hetimeve ndaj shtetasit Olsi Rama me qëllim rihapjen e procedimit penal 335/1.  Pra dosja ekziston dhe provat janë në prokurori.  Nuk regjistrohet kallëzim i ri në regjistrin e veprave penale, por merret vendim për heqjen e pezullimit ndaj procedimit 335/1 që ekziston. Këtë e kupton kushdo që donë te kuptojë dhe qëllimin nuk e ka tjetër, mbrojtjen e Edi dhe Olsi Ramës!”.

Dhe në fakt është e vërtetë.

Vetë Bardhi – ditë më parë – bëri me dije se ka dorëzuar në SPAK “provat e bëra publike që lidhin vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama me laboratorin e drogës në Xibrakë”.

Pra ai nuk ka folur për një kallëzim, ndonëse në media u shit si i tillë.

Bardhi me anë të këtij marifeti të vogël mesa duket i shpëtoi një kallëzimi për shpifje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore