Shqipëria

Rama: 23 mijë e 342 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar disa të dhëna mbi përfitimin e bonusit të bebes për më shumë se 23 mijë fëmijë në Shqipëri.

“23,342 fëmijë që kanë sjellë gëzim për familjet e tyre këtë vit, kanë ardhur në jetë bashkë me bonusin e bebes falë mbështetjes tonë për çdo të porsalindur”, shkruan Rama në statusin e tij në platformën Facebook.

Kryeministri solli në vëmendje se që prej fillimit të këtij programi universal në vitin 2019, janë 95 mijë e 524 fëmijë që kanë përfituar bonusin e bebes, 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 38, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u vendos përcaktimi i masës së ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura.

Për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit është 80 mijë lekë për secilin fëmijë. Për ata që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit është 120 mijë lekë për secilin fëmijë.

Çdo i porsalindur që regjistrohet në Shqipëri, do të jetë përfitues i këtij bonusi nga qeveria, pavarësisht vendit se ku lindin ato, brenda apo jashtë Shqipërie.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore