Kosova

Rakiç: Ardhja e Bërnabiç tregon se jemi për paqe – duhet një kompromis edhe për targat


Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka thënë se ardhja e kryeministres serbe Ana Bërnabiç në Kosovë do të thotë shumë dhe se ka të bëjë me të gjitha segmentet e jetës, përfshirë edhe politikën.

“Do të thotë se ne jemi për paqen dhe stabilitetin”, tha Rakiç për RTS dhe shtoi se Bërnabiç është më e përfshirë në problemet e popullit serb dhe se ai do t’i kërkojë asaj të vazhdojë luftën për paqen dhe stabilitetin dhe për të vazhduar investimin në këtë hapësirë.

Sa i përket targave, Rakiç thotë se për kartat e identitetit është gjetur një zgjidhje kompromisi dhe se e njëjta zgjidhje duhet edhe për targat.

“Për targat duhet edhe një kompromis, jo kërcënim për konfiskimin e automjetit. Njerëzit tanë e dinë shumë mirë kujt duhet t’i besojnë Prishtinës apo Beogradit”, tha ai.

I pyetur se pse kryeministrja do të vizitojë fillimisht qendrën multimediale në Mitrovicën e Veriut gjatë vizitës së saj, ai thotë se qendra është një ndërthurje e së kaluarës dhe së ardhmes.

“Kjo qendër multimediale është një projekt i suksesshëm i Serbisë në të cilin studentët fitojnë njohuri në kushte të shkëlqyera”, shtoi ai.

Ndryshe gjatë ditës së premte e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë pati paralajmëruar se Bërnabiç, pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Kosovë, më saktësisht në tre komunat veriore të banuara me serb.

Kërkesa e Bërnabiç është aprovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Bërnabiç, gjatë vizitës së saj në Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Leposaviçin, do të jetë e shoqëruar me të ashtuquajturin drejtorin e “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

“Kryeministrja do të vizitojë të hënën Mitrovicën e Veriut, ku do të takohet me qendrën multimedia në pjesën veriore të Kosovës dhe Akademinë Shpirtërore. Pas kësaj ajo do të vizitojë Manastirin Banjska në komunën e Zveçanit. Në komunën e Leposaviçit, Kryeministrja do të vizitojë familjet në nevojë” thuhet në njoftim.

Njoftimi më tej bënë të ditur se lajmërimi i vizitës së kryeministres serbe në Kosovës, është bërë të enjten më 1 shtator, 72 orë para vizitës, siç parashihet me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare.

“Vizita e Bërnabiç, në Kosovë ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit” thuhej më tej në komunikatë.

Për Albin Kurti, kryeministrin e Kosovës, nuk është problem që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, do ta vizitojë komunat veriore të Kosovës të hënën.

Përkundrazi sipas tij, ajo me vizitën e saj në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovës, do të shohë se sa mirë po funksionon shtetit.

“Edhe Bërnabiç le të hyjë në Kosovë me letërnjoftimin e lëshuar nga Beogradi dhe le ta shohin se gjithçka po funksionon, si në një shtet demokratik, i cili është edhe më demokratik se Serbia gjithsesi, madje edhe më i pavarur se Serbia”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

Kurti: Bërnabiç po vjen në Kosovë, pasi e kuptoj që Bislimi e Nagavci po udhëtojnë për në Serbi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore