Lajme

Kurti: Bërnabiç po vjen në Kosovë, pasi e kuptoj që Bislimi e Nagavci po udhëtojnë për në Serbi


Albin Kurti dhe Ana Bërnabiç

Për Albin Kurti, kryeministrin e Kosovës, nuk është problem që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, do ta vizitojë komunat veriore të Kosovës të hënën.

Përkundrazi sipas tij, ajo me vizitën e saj në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovës, do të shohë se sa mirë po funksionon shtetit.

“Edhe Bërnabiç le të hyjë në Kosovë me letërnjoftimin e lëshuar nga Beogradi dhe le ta shohin se gjithçka po funksionon, si në një shtet demokratik, i cili është edhe më demokratik se Serbia gjithsesi, madje edhe më i pavarur se Serbia”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

I pari i ekzekutivit ka konfirmuar se dy ministra të kabinetit të tij, zëvendësministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, po në këtë ditë kur Bërnabiç viziton Kosovën, ata do të udhëtojnë për në Luginën e Preshevës.

E vizita e tyre në Serbi, sipas tij, nuk duhet të kuptohet si reagim ndaj vizitës së kryeministres serbe në Kosovë, por përkundrazi në këtë rast ka qenë Serbia ajo e cila është kundërpërgjigjur kur ka mësuar se zyrtarët kosovarë do të udhëtojnë për në Luginën e Preshevës.

“Agjenda jonë qeveritare qysh ma herët e ka paraparë një vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës dhe zyrtarët e Qeverisë do të shkojnë të hënën, përshtypja ime është se kur e kanë kuptuar që do të shkojnë ministra të Qeverisë sime në Preshevë, Medvegjë edhe Bujanovc, kanë kërkuar edhe ata që të vijnë në Veri”.

“Unë do të shkojë një ditë mirëpo nuk është shkuarja jonë të hënën reagim, përkundrazi kur ata e kanë kuptuar që ne do të shkojmë në Presheve, Medvegjë edhe Bujanovc e kanë bërë kërkesën që edhe Bërnabiç të vijë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Në pyetjen se pse ai nuk po udhëton për në Serbi në vend të vartësve të tij, ashtu siç po e bënë Bërnabiç, Kurti është deklaruar se tashmë agjenda shtetërore është caktuar shumë më herët.

“Nuk mund ta ndryshojmë agjendën e qeverisë, kjo do të thoshte varësi nga Serbia, nuk mund ta bëjmë shtetit të varur nga Serbia ku ata na përcaktojnë agjendën shtetërore, ata janë duke u përgjigjur agjendës tonë, pse ata nuk po e dërgojnë zëvendëskryeministrin, po por e dërgojnë kryeministren, kjo është çështje e tyre, ndryshimi i agjendës tonë shtetërore nuk do të ishte reciprocitet, do të ishte varësi nga agjenda e Serbisë, prandaj nuk e bëjmë një gjë të tillë”.

Sa i përket targave, Kurti i ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat e tyre në RKS brenda afatit deri më 31 tetor.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë, ata do të përfitojnë deri në 5 mijë euro duke mos paguar akciza dhe taksa.

“Sa i përket targave ne do të bëjmë më të mirën e mundshme, sa i përket aspektit diplomatik e politik, unë i ftojë të gjithë qytetarët e komunitetit serb që t’i konvertojnë sa më parë targat ilegale, sepse i kanë këto dy muaj për t’i përfituar deri në 5 mijë euro duke mos paguar TVSH, akcizë dhe taksë doganore”.

Ndryshe gjatë ditës së premte e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë pati paralajmëruar se Bërnabiç, pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Kosovë, më saktësisht në tre komunat veriore të banuara me serb.

Kërkesa e Bërnabiç është aprovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Bërnabiç, gjatë vizitës së saj në Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Leposaviçin, do të jetë e shoqëruar me të ashtuquajturin drejtorin e “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

“Kryeministrja do të vizitojë të hënën Mitrovicën e Veriut, ku do të takohet me qendrën multimedia në pjesën veriore të Kosovës dhe Akademinë Shpirtërore. Pas kësaj ajo do të vizitojë Manastirin Banjska në komunën e Zveçanit. Në komunën e Leposaviçit, Kryeministrja do të vizitojë familjet në nevojë” thuhet në njoftim.

Njoftimi më tej bënë të ditur se lajmërimi i vizitës së kryeministres serbe në Kosovës, është bërë të enjten më 1 shtator, 72 orë para vizitës, siç parashihet me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare.

“Vizita e Bërnabiç, në Kosovë ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit” thuhej më tej në komunikatë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore