Lajme

Rajonet e Italisë gati për racionimin e ujit për shkak të thatësirës


Duket se nuk ka shpëtim për ata që duan t’i shpëtojnë vapës.

Vala e të nxehtit e ka përfshirë Italinë e më gjerë.

Prej disa javësh, temperaturat kanë mbetur mbi mesataren dhe për më tepër ato mbërrijnë pas një dimri të butë e me pak shi, sidomos në veri të Italisë.

Rezultati është një thatësirë që është zvarritur për muaj të tërë dhe që i bën njerëzit të kenë frikë nga më e keqja.

Për këtë arsye, rajonet po veprojnë me shpejtësi për të kërkuar gjendjen e jashtëzakonshme, por edhe për të standardizuar vendimet në të gjithë territorin.

Hipotezat që qarkullojnë kanë të bëjnë me reduktimin e menjëhershëm të mbetjeve, me racionimin deri në ndalimin e dërgesave gjatë natës, duke i dhënë përparësi përdorimit për nevoja parësore.

Këto janë masa që tashmë janë marrë në shumë provinca.

Të paktën në rreth dhjetë në Piemonte, mbylljet e cisternave dhe shpërndarjes gjatë natës janë ndërmarrë prej ditësh.

Po ashtu në provincat e Savona-s dhe Imperia-s, ose në Tesimo, në Alto Adige, ku kryetari i bashkisë ka urdhëruar që uji të “përdoret për të pirë dhe për t’u larë”, por jo për të ujitur kopshtet.

Ndërkaq, situata është veçanërisht e vështirë në rreth 145 qytete në zonat Novara dhe Ossola, por edhe në provincën e Bergamo-s dhe Parma-s.

Në Pontelagoscuro, në zonën e Ferrara-s, shpejtësia e rrjedhës ka rënë në 180 metra kub në sekondë, një shifër më e përshtatshme për një përrua të vogël se sa për një lum.

Liqenet e Italisë Veriore nuk janë më mirë.

Maggiore ka një mbushje prej 20 për qind, ai i Como 18 për qind me një nivel më të vogël se nëntë centimetra nga më parë.

Liqeni Garda nuk është ende në gjendje emergjence, me një mbushje 60 për qind, ndërsa liqeni Bracciano, në Lacio, është në më pak se 25 centimetra në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Buletini i fundit i Observatorit të Thatësirës CNR, i publikuar më 10 qershor, ka dalluar efektet mbi të gjitha në sektorin e bujqësisë.

Është mbi 40 për qind e tokës së ujitur të prekur nga thatësira e rëndë ose ekstreme në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Si dhe me një segment të popullsisë të ekspozuar ndaj këtyre kushteve kufitare që është dyfishuar nga 14 në 30 për qind.

Të shtunën e kaluar, Copernicus, shërbimi i Bashkimit Evropian që monitoron territorin, ka zbuluar rekordin e temperaturës së tokës në Sardenjë me 51 gradë.

Kurse Ispra (Instituti i Lartë për Mbrojtjen dhe Kërkimin e Mjedisit) ka paralajmëruar për një tjetër rrezik, atë të shkretëtirëzimit.

“Ai prek tashmë një të katërtën e tokës italiane, por situata mund të përkeqësohet për shkak të thatësirës, veçanërisht nëse vazhdon”, ka sqaruar Francesca Assennato, koordinatore e Zonës së Integruar të Monitorimit të Tokës dhe Territorit të Institutit.

Një tjetër pasojë jo e parëndësishme janë zjarret, të cilat janë trefishuar që nga fillimi i vitit në krahasim me mesataren historike sipas një studimi të Coldiretti.

Por për javët në vijim, moti nuk është inkurajues.

Stuhitë e izoluara nuk do ta ndryshojnë tablonë e përgjithshme.

“Për momentin, për 10 deri në 15 ditët e ardhshme nuk priten ndryshime të rëndësishme”, ka parashikuar Mattia Gussoni, meteorolog.

“Do të vazhdojë prania e anticiklonit afrikan, i cili ka qenë i palëvizshëm që nga fillimi i majit, me temperatura deri në 6/7 gradë mbi mesataret referente klimatike”, ka vijuar ai.

Sipas tij, tendenca në nivel europian është që situata të mbetet e pandryshuar edhe në korrik dhe gusht me vlera mbi mesataren e periudhës.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore