Lajme

Radojiçiç prej ditësh në Kosovë – a i janë vënë pas policia e AKI-ja?


Milan Radojiçiç

Nga 5 korriku kur përmes një video kërcënuese famëkeqi Milan Radojiçiç u shfaq në Kosovë, ai vazhdon të jetë i lirë, meqë Policia e Kosovës nuk ka njoftuar për arrestimin e tij.

Asnjë nga institucionet nuk kanë komunikuar me mediat, për të ofruar më shumë informacione se si hyri fillimisht në Kosovë një person për të cilin ka urdhërarrest.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Albanian Post se “fillimisht nga video që e pamë në media ne nuk mund të jemi të sigurt se a është Radojiçiç në Kosovë apo jo”.

Gjithsesi, “drejtoria e Inteligjencës e Policisë së Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet që të sigurojnë informata inteligjente mbi vendndodhjen e tij dhe në rast se konfirmojnë se ai është në Kosovë, Policia e Kosovës duhet që të zbatojë urdhër arrestin e lëshuar nga Gjykata dhe ta arrestojë atë”.

Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policise

Se ende ekziston urdhërarresti për Milan Radojiçiç-in, e ka konfirmuar për Albanian Post edhe Prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku.

“Urdhërarresti për Radojeçiç për rastin Brezovica ekziston ende dhe policia duhet ta zbatojë”, tha shkurt Maloku.

Kruse Qalajn, si ekspert i sigurisë, e ka të qartë se ajo çfarë deshi të nxisë me këtë video nënkryetari i Listës Serbe është ndonjë spektakël arrestimi që mund të përdoret me pas.

“Arrestimi i tij edhe mund të përdoret nga qarqe kriminale që të shkaktojnë probleme të vogla mirëpo kjo nuk duhet ndaluar PK-në që ta arrestojë atë”, pohon Qalaj.

Ai pohon se Radojiçiç megjithatë nuk përben rrezik për shtetin e Kosovës, sa për vetë serbët në Kosovë.

“Kjo definitivisht është një video provokuese për Institucionet e sigurisë së vendit mirëpo në të njëjtën kohë është mesazh kërcënimi për qytetarët serbë të veriut të cilët më nuk i frikësohen edhe aq Milan Radoijçiç-it”.

Milan Radojiçiç

Radojiçiç që dyshohet edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, në videon e tij të shkurtër thoshte se “jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë, sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”.

Albanian Post ka dërguar pyetje për këtë rast edhe në Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, por nuk janë kthyer përgjigje prapa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore