Lajme

Quni thotë se s’duhet përjashtuar kurrë ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë


Sipas deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, nuk duhet përjashtuar asnjëherë ndërhyrjet e Serbisë brenda territorit të Kosovës, kjo pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

“Asnjëherë nuk duhet përjashtuar situatat e ndërhyrjeve të ndryshme nga autoritetet e Serbisë nga territori i Serbisë në brendi të Kosovës siç ka ndodh më 24 shtator”, ka thënë Quni për “EkonomiaOnline”, derisa është shprehur i bindur “që institucionet tona të sigurisë tani më janë më të përgatitura për t’u ballafaquar me situata të tilla”.

“Vetëm një gjë do ta apeloja që në raste tjera të ketë një bashkëkoordinim me autoritetet ndërkombëtare, veçanti me atë të KFOR-it”, ka theksuar ish-ministri i Mbrojtjes.

Një grup terrorist, i udhëhequr nga kryekrimineli, Milan Radojicic, kishin sulmuar Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku kishin lënë të vrarë rreshterin, tanimë Heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës për këtë rast e kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, derisa kërkojnë që terroristët që arritën të largoheshin nga Kosova, e që janë strehuar në Serbi, t’iu dorëzohen autoriteteve kosovare për t’u përballur me drejtësinë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga sulmi terrorist, përkundrazi kishte shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndërsa, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist, teksa kanë kërkuar nga Serbia që të bashkëpunojë pa kushte për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit e kësaj ngjarje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore