Lajme

QKRMT: Prokuroria duhet të rikualifikojë veprën penale ku tri infermiere sulmuan një të moshuar në Pejë


Të akuzuarat për maltretimin e një të moshuare në një Qendër të të Moshuarve në Pejë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Pejë që të rikualifikoj veprën penale me të cilën ngarkohen tre infermieret të cilat keqtrajtuan një të moshuar në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

Një ditë më parë, Prokuroria Themelore e këtij qyteti ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre infermiereve A.P., A.R., dhe R.K, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Sulm”, pasi që ato të tria, në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje  kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.

QKRMT, kërkon që kjo vepër të rikualifikohet. Të mos cilësohet vetëm si “Sulm” por, “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, apo të “Torturës”.
kjo, pasi që “veprimet ndaj të moshuarës kishin edhe elemente të torturës. Bazuar në pamjet e publikuara në media shihej qartë përdorimi i dhunës dhe poshtërimi ndaj të moshuarës në ambientet e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë”, thuhet në reagim të Qendrës Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Sipas QKRMT thuhet se shteti ka përgjegjësi për trajtimin me dinjitet ndaj personave që janë nën mbikëqyrjen e shtetit apo institucioneve të autorizuara nga shteti.

“Dhuna e përdorur ndaj të moshuarës, nuk mund të konsiderohet si sulm i zakonshëm pasi që ajo është shkaktuar nga persona zyrtarë, pra infermiere të Shtëpisë së të Moshuarve, gjë që janë përmbushur elementet e veprës penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, e po ashtu është dashur të vlerësohen edhe veprimet që mund të konsiderohen si ‘Torturë’. QKRMT u bën thirrje institucioneve përkatëse për mbikëqyrje efektive të trajtimit të personave të vendosur në institucione të mbikëqyrura nga shteti, dhe ndërmarrjen të gjitha veprimeve për ndalimin e torturës dhe çdo forme tjetër të keqtrajtimit”, thuhet në reagim.

QKRMT i ka bërë thirrje Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Gjykatës Themelore në Pejë, që ta rishikojnë këtë aktakuzë dhe të ri kualifikojnë veprën penale.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë

Sipas aktakuzës, tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, e cila ishte e vendosur në ketë strehimore.

“Në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale,  e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

E moshuara që ishte sulmuar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë kishte edhe shenja të dhunës dhe përvëlimit.

Kështu tregon ekspertiza mjekoligjore që i është bërë viktimës. “Po, unë e kam pranuar një raport të ekspertizës mjekoligjore, i cili tregon që ka pasur djegie në këmbë dhe shenja të tjera që përshkruhen detajisht në raport. Me këtë raport vërtetohet që e mbrojtura ime nuk është trajtuar siç duhet në atë qendër”, tha Meshari Selimaj, avokati që mbron familjen e të moshuarës që u sulmua në Pejë.

Në këtë raport të expertizës, është konstatuar se djegia lëkurore (përvëlim) në këmbën e majtë është shkaktuar si pasojë e temperaturës së lartë, siç mund të jenë lëngjet e nxehta.

Ekspertiza vë në pah se 7 deri 14 ditë më parë (para se rasti të raportohej në medie dhe para se të moshuarës ti kryhej ekspertiza) ka pasur edhe gjakmbledhje nën lëkurë që dyshohet se janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë ose përplasjes së trupit në objekt.

“Ekspertiza është hartuar shumë më herët, e unë e kam pranuar këto ditë”, kishte deklaruar avokati i familjes, që po mbronte të moshuarën, më 16 dhjetorë të vitit të kaluar.

“Besoj që mbrojtësit e qendrës po tentojnë të fshehin të vërtetën që e moshuara është djegur në atë qendër e tani veçse i ka kaluar djegia”, kishte thënë avokati Meshari Selimaj.

Çfarë ndodhi në Pejë?

Më 2 nëntor, një video është publikuar në rrjetet sociale duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuare në shtëpinë e pleqve “Orenda”, në Pejë.

“Kuku”, bërtet një e moshuar e cila është zënë peng nga një vajzë – që nga veshja duket se është punonjëse e institucionit për të moshuar.

Por, britmat janë krejtësisht të kota sepse e reja pamëshirshëm vazhdon ta godas.

“Çka po sillka more”, thotë një tjetër vajzë që xhironte dhunën që po ushtrohej brutalisht.

Në videon e publikuar vajza s’pushon së godituri, derisa e moshuara dëshpërimisht kërkon t’i ikën.

“Pak jom t’u ia hi, qysh di me sill unë, pak jom t’u ia hi”, inkurajohet dhunuesja tashmë e arrestuar nga policia e Kosovës për sulm fizik.

E godet me gju në barkë.

E moshuara e dhunuar vuante nga alzheimeri

Dhëndri i të moshuarës e cila u keqtrajtua nga infermieret në shtëpinë e të moshuarve “Orenda”, Ezen Vala, kishte deklaruar se menjëherë pas publikimit të videos në rrjete sociale, e kishin marrë atë në shtëpi.

Ai kishte thënë se e moshuara vuan nga alzheimeri dhe nuk ka treguar ndonjëherë që është keqtrajtuar.

“Minirja është banore e kësaj qendre qe një vit. Me publikimin e një videoje në rrjetet sociale jemi shqetësuar të gjithë. Kemi ardhur menjëherë me e tërheq nga shtëpia. Banorin e tërheqim për shkak të asaj qe e kemi parë në video. Ajo është nënë e një dëshmori. Nuk kemi pasur ndonjëherë vërejtje për sjellje të keqe. Ne nuk dimë që diçka ka ndodhur. Fatkeqësia është që zonja vuan nga alzheimeri. Sot është mirë por rasti ka ndodhur para 4 ditëve. Ne presim që hetuesia të zbulojë më shumë”, deklaronte ai.

650 euro në muaj, ishte shuma që familja e paguante qendrën për tu përkujdesur për të moshuarën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore