Kosova

Qindra nxënës braktisën shkollën në Kosovë vitin e kaluar


Koordinatorja për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, Merita Jonuzi, ka thënë se rreth 100 nxënës vitin e kaluar braktisën shkollën fillore, derisa numër më i madh i braktisjeve u regjistruan në arsim të mesëm të lartë, ku afro 900 nxënës braktisën shkollën.

“Tani kemi një rënie, por që neve na shqetëson secila shifër, për faktin se legjislacioni në fuqi dhe sidomos në arsimin e obligueshëm kërkon që të gjithë fëmijët të jenë në banka shkollore dhe të jenë përfitues të sistemit arsimor. I kemi rreth 900 nxënës që kanë braktisur shkollën në arsimin e mesëm të lartë. Nuk është arsim i obligueshëm, por vëmendja jonë është që terreni të punojë shumë në parandalim”, tha Jonuzi për KP.

Sipas saj, faktorët social e ekonomik janë kryesorët që po ndikojnë në braktisjen e shkollimit, por ajo thotë se ka edhe faktorë individual, familjarë që e gjenerojnë problemin e braktisjes.

“Komunat që kanë braktisjen më të madhe të shkollave janë komunat e mëdha, por edhe komuna të vogla. E kemi Gjakovën, Pejën, Prizrenin, Malishevën, Vushtrrinë, Prishtinën që kanë shifra pak më të larta të braktisjes”.

Përveç braktisjes së tërësishme të shkollave, problem për shumë nxënës mbesin edhe mungesat e shumta.

Kryesuesi i kolegjiumit parauniversitar në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Samir Shahini, thotë se që nga pandemia ka pasur vështirësi të nxënësve për t’iu rikthyer normalitetit.

“Mendoj se si fenomen ende kemi problemi të shumta me mungesat e shumta më tepër se sa me mungesë totale. Mirëpo, në arsimin e obligueshëm këta që kanë mungesa të shumta duhet të iu mundësojë shkolla, jemi të obliguar me ligj, t’iu mundësohet që arsimin e obligueshëm ta përfundojmë edhe me provime klasore”, deklaron Shahini.

Ai potencon se “arsyeja kryesore e braktisjes është largimi nga Kosova, migrimi.

“Prej vitit të kaluar në këtë vit shkollor kemi statistikisht 12 mijë nxënës më pak në sistem të arsimit parauniversitar në Kosovë. Që është shumë alarmante. Faktor kryesor mbetet nataliteti në ulje e sipër në vendin tonë. Një tjetër faktor është migrimi”, shton Shahini.

Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) e konsideron shkelje të drejtave të fëmijëve, pamundësinë për vijimin e shkollimit.

Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore