Lajme

Qeveria ndan mbi 12 milionë euro për subvencionimin e librave dhe materialeve shkollore


Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, ka ndarë mbi 6.3 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat nga 1 deri në 5.

Kurse, mbi 6.6 milionë euro të tjera i ka ndarë për materialet mësimore për klasat 1 deri 9.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot, në mënyrë elektronike, mbledhjen e radhës në të cilën ka ndarë 6,323,380 (gjashtë milionë e treqind e njëzetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë) euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5, dhe 6,617,340 (gjashtë milionë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e treqind e katërdhjetë) euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9”, ka njoftuar Qeveria.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në rrjetin e saj social në ‘Facebook’ të mërkurën ka përditësuar të dhënat dhe ka dhënë detaje shtesë rreth aplikimit në platformë e-Kosova për subvencionimin e teksteve shkollore.

Sipas Nagavcit deri më tani në këtë platformë kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër.

“Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirrollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar”, shkroi ajo fillimisht.

Sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, Nagavci ka bërë të ditur se pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve.

Ministrja Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Aplikimi po bëhet përmes platformës e-Kosova, mirëpo në ditën kur u lansua kjo platformë, për disa orë ishte e bllokuar, me të njejtën ka pasur probleme vazhdimisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore