Kosova

Qeveria miraton Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë, por kosovarët s’do të mund të udhëtojnë pa viza në Bosnje


Ilustrim

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të radhës ka miratuar tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Samitit të Berlinit, i cili u mbajt më 3 nëntor të vitit 2022.

Njëra ndër projektligjet e miratuara sot përfshin edhe Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Sipas kësaj marrëveshjeje, kosovarët dhe boshnjakët do të mund të lëvizin lirshëm duke përdorur vetëm letërnjoftimin.

Megjithatë ky është vetëm hapi i parë.

E njëjta marrëveshje për të qenë e zbatueshme në praktikë duhet të ratifikohet edhe në Kuvendet respektive të të dyja shteteve.

Kështu të paktën kishte bërë të ditur Këshilli për Bashkëpunim Rajonal – i cili ka për qëllim të nxisë integrimin euroatlantik të Evropës Juglindore – për Albanian Post.

“Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara duhet të kalojnë nëpër një procedurë të caktuar para se të hyjnë në fuqi. Në rastin e tre marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, ato duhet të ratifikohen, pranohen ose miratohen në nivel kombëtar”, thuhej në përgjigjen e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Lidhur me këtë kriter, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka garantuar se të tri marrëveshjet shpejt do të dërgohen për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

“Ratifikimi i shpejt i Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë, për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe atë për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale, Mjekëve, Dentistëve dhe Arkitektëve është tregues i përkushtimit tonë për bashkëpunim rajon, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejtë integrimit në BE”, ka thënë Kurti.

Megjithatë përpos ratifikimit në Kuvendet përkatëse të tre këtyre marrëveshjeve, për Marrëveshjen për Lëvizje të Lirë, kishte shpjeguar më tej Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, ka edhe një procedurë shtesë.

“Kërkohet që palët të shkëmbejnë ekzemplarët e kartave të identitetit jo më vonë se 30 ditë pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje. Marrëveshja hyn në fuqi në ditën e tridhjetë pas depozitimit të njoftimit të tretë zyrtar të ratifikimit, pranimit ose miratimit për ato palë që kanë depozituar njoftimin e tyre zyrtar të ratifikimit, pranimit ose miratimit”, thuhej në përgjigjen e Këshillit.

Pas gati dy vite negociatash në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor më 3 nëntor ishin nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit përmes të cilit jetësohej Tregu i Përbashkët Rajonal.

Marrëveshjet e nënshkruara ishin ato për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime, për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Dentistëve dhe Arkitektëve.

Marrëveshjet e nënshkruara në Berlin, sa për sy e faqe – nëse nuk ratifikohen në kuvendet respektive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore