Lajme

Marrëveshjet e nënshkruara në Berlin, sa për sy e faqe – nëse nuk ratifikohen në kuvendet respektive


Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pas nënshkrimit të tri marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë me karta të identitetit për në Bosnje e Hercegovinë derisa Marrëveshja për Lëvizje të Lirë, e nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit më 3 nëntor, nuk ratifikohet në kuvendet respektive të të dy shteteve.

Ndonëse nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte cilësuar si akt i kryer, situata në terren është krejt ndryshe.

Kjo pasi që kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë për në Bosnje e Hercegovinë – dhe anasjelltas – pas 3 nëntorit, derisa qeveritë e të dy vendeve nuk plotësojnë disa kritere teknike.

Kështu të paktën thuhet në përgjigjen e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal – i cili ka për qëllim të nxisë integrimin euroatlantik të Evropës Juglindore – për Albanian Post.

“Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara duhet të kalojnë nëpër një procedurë të caktuar para se të hyjnë në fuqi. Në rastin e tre marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, ato duhet të ratifikohen, pranohen ose miratohen në nivel kombëtar”, thuhet në përgjigjen e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Përpos ratifikimit në Kuvendet përkatëse të tre këtyre marrëveshjeve, për Marrëveshjen për Lëvizje të Lirë, shpjegon më tej Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, ka edhe një procedurë shtesë.

“Kërkohet që palët të shkëmbejnë ekzemplarët e kartave të identitetit jo më vonë se 30 ditë pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje. Marrëveshja hyn në fuqi në ditën e tridhjetë pas depozitimit të njoftimit të tretë zyrtar të ratifikimit, pranimit ose miratimit për ato palë që kanë depozituar njoftimin e tyre zyrtar të ratifikimit, pranimit ose miratimit”, thuhet në përgjigjen e Këshillit.

Këshilli më tej ka bërë të ditur se është në kontakt të rregullt me të gjithë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilët kanë nënshkruar të tre këto marrëveshje në atë mënyrë që ujditë të fillojnë të zbatohen sa më shpejt.

Ndryshe Policia Kufitare në Bosnje e Hercegovinë, gjatë ditës, kishte bërë të ditur se informacioni i cili po qarkullon në rrjetet sociale se pas 3 nëntorit Kosova dhe Bosnja kanë larguar regjimin e vizave nuk është i saktë.

“Sipas Vendimit për viza është paraparë që poseduesit e dokumenteve të Republikës së Kosovës duhet fillimisht të pajisen me vizë, e cila nuk është e shënuar në dokumentin e udhëtimit, por lëshohet në formular të veçantë dhe sipas procedurës së veçantë. Qytetarët nga Kosova nuk mund të kalojnë kufirin shtetëror të Bosnjës vetëm me kartë të identitetit”, ka deklaruara Franka Vican Boskoviç, zëdhënëse e Policisë Kufitare të Bosnje e Hercegovinës, raporton mediumi boshnjak Radiosarajevo.ba.

Pas gati dy vite negociatash në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor më 3 nëntor ishin nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit përmes të cilit jetësohej Tregu i Përbashkët Rajonal.

Marrëveshjet e nënshkruara ishin ato për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Sa vlejnë marrëveshjet e Procesit të Berlinit, kosovarët akoma s’po mund të udhëtojnë pa viza në Bosnje dhe Hercegovinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore