Lajme

Qeveria e ka mundësinë, por a guxon ta zhbëjë marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?


Ilustrim: Besnik Bislimi, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Konventa e Montevideos e vitit 1933 mbi të drejtat dhe detyrat e shteteve precizon saktë katër kriteret që një shtet si formacion duhet të ketë: 1. Popullsi të përhershme 2. Një territor të përcaktuar 3. Qeveri dhe 4. Aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera.

Pika e katër e kësaj konvente mes tjerash le të nënkuptohet se një shtet duhet të hyjë edhe në detyrime duke nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare me një apo më shumë shtete.

Një detyrim të tillë të karakterit ndërkombëtar Kosova e kishte firmosur e ratifikuar në Kuvendin e saj në vitin 2013.

Bëhet fjalë për Marrëveshjen e Brukselit, e cila në gjashtë pikat e para parasheh formimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

Përkundër që kanë kaluar gati 10 vjet nga nënshkrimi i saj, shumë shtetarë të Kosovës përfshirë edhe Qeverinë aktuale kanë refuzuar zbpatimin e ujdisë.

Institucionet e Kosovës të cilët që nga ajo kohë kanë mbetur “nën rrënojën” e një detyrimi ndërkombëtar para vetes kanë dy opsione politiko – juridike: ose impelementimin e Marrëveshjes së Brukselit në tërësi ose zhbërjen e saj.

Pasi Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, opsionin e parë nuk po e konsideron fare, Kushtetuta e Kosovës i ofron atij një “mundësi” – zhbërjen e Marrëveshjes së Brukselit dhe rrjedhimisht “heqje qafe” të Asociacionit njëherë e përgjithmonë.

Por, për analistin politik, Visar Ymerin, shkëputja e njëanshme e një marrëveshjeje ndërkombëtare përherë bartë pasoja.

Në rrafshin formal juridik natyrisht që Kosova, sikur secili shtet tjetër, thotë Ymeri, ka mundësi të shfuqizojë një marrëveshje ndërkombëtare.

“Për këtë gjë ka edhe rregulla të qarta, që përcaktohen me Konventën e Vjenës për Marrëveshjet Ndërkombëtare. Këto janë të mishëruara edhe në Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, thotë fillimisht Ymeri për Albanian Post.

Megjithatë, sipas ish-bashkëpartiakut të kryeministrit aktual, në kontekstin në të cilën gjendet Kosova një manovër e tillë nuk është edhe aq e leverdishme për Kosovën.

“Jemi duke folur për një proces dialogu i cili ende nuk ka përfunduar dhe prej të cilit Kosova pret përfitime shtesë. Në rastin tonë konkret, përveç dështimit të zbatimit të obligimeve nga një marrëveshje ndërkombëtare, ne do të rrezikonim t’i humbnim edhe elementet tjera nga marrëveshja që kanë qenë përfitime të Kosovës, sikur Kodi Telefonik, anëtarësimi i KOSTT-it në ENTSO, etj”, shpjegon më tej ai.

 “Rebus Sic Stantibus” është doktrina ligjore që lejon që një kontratë ose një traktat të bëhet i pazbatueshëm për shkak të një ndryshimi thelbësor të rrethanave. Në të drejtën ndërkombëtare publike, doktrina në thelb shërben si një “klauzolë arratisjeje” ndaj rregullit të përgjithshëm të “Pacta Sunt Servanda”, që në shqip i bie “marrëveshjet duhet të zbatohen”.

Visar Ymeri dhe Mazlum Baraliu

Ky parim është i përjetësuar edhe në ligjet e Kosovës.

Ligji për Marrëveshje Ndërkombëtare, neni 18 e qartëson krejtësisht situatën.

Neni 18 i ligjit, “Tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimi i zbatimit të tyre”, në tri pika, shpalosë procedurën.

Sipas pikës 2, të këtij neni “Vendimi në lidhje me tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, të referuara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me dy të tretat (2/3) e votave”.

Rekomandimin mund ta bëjë ose “Presidenti/ja me iniciativë të tij/saj ose pas propozimit nga Qeveria”.

Kurse pika 3 e nenit sqaron se “Vendimi për tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose për suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, përveç atyre të parapara në paragrafin 1 të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Presidenti, me iniciativë të tij ose me rekomandim të Qeverisë”.

Por, siç e saktëson parimi “Rebus Sic Stantibus” që të lejohet që një kontratë ose një traktat të bëhet i pazbatueshëm, duhet të ketë ndryshim thelbësor të rrethanave.

Me ose pa ndryshim të rrethanave, zhbërja e një Marrëveshjeje Ndërkombëtare sipas Ymerit është mosrespektim i kriterit të katërt të Konventës së Montevideos që si pasojë ka uljen ose rrezikimin e ushtrimit të sovranitetit të një shteti.

“Elementi i njohjes nga jashtë që shndërrohet në aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtetet tjera (kriteri katër i Montevideos) është element konstituiv i shtetit. Pra aftësia për të hyrë në marrëdhënie dhe pastaj respektuar ato nuk e zhbën sovranitetin, por e konstituon atë. Edhe Konventat e Kombeve të Bashkuara të cilat e afirmojnë të drejtën e vetëvendosjes e shohin këtë të fundit si jo paragjykuese ndaj marrëveshjeve e detyrimeve ndërkombëtare që ka shteti”, shpjegon më tej ai.

Profesori universitar i së Drejtës Kushtetuese, Mazlum Baraliu, në një shpjegim për Albanian Post, thotë se qeveria aktuale e Kosovës “mund të tërhiqet pa asnjë problem vetëm nëse e ka shumicën në kuvend”.

“Ka mundësi që në bazë të ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës që kjo qeveri edhe kushdo tjetër nëse e ka shumicën ta çojë në kuvend dhe të tërhiqet nga kjo marrëveshje”.

A i ka numrat Qeveria për të ndërmarrë një iniciativë të tillë?

Po.

Të enjten kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës garantoi se partia të cilën ai e drejton do ta përkrahë Qeverinë e Kosovës në rast se ajo sjellë në Kuvend zhbërjen e Marrëveshjes së Brukselit.

“Pse nuk po e sjellë në Kuvend meqë ajo qenka problemi?”, e pyeti fillimisht Krasniqi, Kurtin në seancë.

“Pse po fshihesh, pse po frikësohesh, kush të ka frikësuar? (Miroslav) Lajçak-u apo (Gabriel) Escobar-i? Sille, merre iniciativën. Pse qenka kaq e rrezikshme? Sille, ti i ke 60 vota, ne i tubojmë 20 nëse këtu është problemi”, i premtoi Krasniqi.

Kurti nuk dha përgjigje.

Ai ankohet për “Zajednicën”, por vazhdon me deklarime ambige herë duke thënë se e pranon Marrëveshjen Bazë që brenda ka edhe Asociacioni dhe herë të tjera në mënyrë të prerë e refuzon formimin e një mekanizmi të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore