Lajme

Njëherë njohja pastaj Asociacioni, ky është vullneti i popullit thotë Kurti


Albin Kurti

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, vullneti i popullit të Kosovës, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë ato që e shtyjnë personalisht atë që të kërkojë fillimisht njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia e më pastaj formimin e çfarëdolloj Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

“Të kërkosh Asociacionin pa e njohur Kosovën është si të kërkosh një kafe pa filxhan”, ka thënë Kurti në një intervistë për gazetaren e TRT World, Nafisa Latiç.

Kurti duke komentuar deklaratën e të deleguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Asociacioni duhet të themelohet dhe se marrëveshja për këtë mekanizëm nuk është mes Kurtit dhe Serbisë, por mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se mirëpret angazhimin shumë aktiv të diplomatit amerikan në këtë çështje, por duke shtuar se “duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të drejtë”.

Sipas shefit të qeverisë së Kosovës të gjashtë kushtet e propozuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, “nuk janë qëndrimet e mia arbitrare apo mendimet e mia personale”.

“Çdo lloj Asociacioni duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjin, por gjithashtu nuk mund të kemi një asociacioni mono-etnik sepse kjo do të ishte në kundërshtim me frymën dhe germën e kushtetutës sonë. Përveç kësaj besoj se nëse Serbia dëshiron Asociacionin me bazë etnike duhet së pari të mendojnë ta bëjnë në shtëpi sepse ka shumë më shumë pakica në numër në Serbi sesa në Kosovë”, ka shtuar Kurti.

Në dokumentin e fundit të publikuar nga Albanian Post thuhet se nëse nuk nënshkruhet Marrëveshja Bazë në mes të Kosovës dhe Serbisë të bazuar në propozimin franko-gjerman, Kosova do të bartë disa pasoja si bllokimin e procesit integrues, ngrirje të mbështetjes kthimin prapa në raport me Perëndimin.

Megjithatë sipas Kurtit, Kosova nuk duhet dhe nuk do të jetë e izoluar nga bota perëndimore nëse eventualisht marrëveshja nuk arrihet.

“Ne kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar kemi aplikuar për anëtarësim në BE, raportet e progresit të vendit tonë të vitit të kaluar janë më të mirat që prej kur kemi shpallur pavarësinë e Kosovës, pra BE-ja po vlerëson rritjen ekonomike dhe progresion demokratik të vendit tonë”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore