Lajme

Qeveria dorëzon ankesë në Gjykatë lidhur me pezullimin e vendimit për uljen e pagave


Foto nga Albanian Post

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj vendimit të gjykatës për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ me datë 16.12.2022 ka pranuar ankesën e ushtruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndaj Aktvendimit me numër A.nr.2767/2022”, thuhet në përgjigjen e Gashit për AP.

Më 2 dhjetor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, të premten.

Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Gjykata më datën 02.12.2022, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozueses, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses”.

Me Projektligjin për paga nga Qeveria e Kosovës, më 23 nëntor, ulje të pagës kishin pësuar edhe gjyqtarët edhe prokurorët.

Kurse, në vitin 2017 kryeministri i Kosovës atëherë, Ramush Haradinaj, pati rritur pagat për shumë kategori dhe mes tyre për gjyqtarë dhe prokurorë.

Përkundër faktit se një gjë e tillë konsiderohej si joligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ky vendim asnjëherë nuk ishte shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, pavarësisht kërkesave të opozitës e shoqërisë civile në atë kohë.

Vendimi ishte prekur më pas në vitin 2020 nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, por vetëm për zyrtarë qeveritarë, derisa pagat e punëtorëve të sistemit të drejtësisë mbetën, meqë edhe shkonte me premtimet e vetë Kurtit për paga të larta në këtë sektor.

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Anti-ligjore, anti-kushtetuese, anti-Komisionit të Venecias, anti…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore