Lajme

Gjykata pezullon vendimin e Qeverisë për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, të premten.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Gjykata më datën 02.12.2022, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozueses, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses”.

Nga Gjykata është sqaruar edhe kërkesa që ishte bërë për të pezulluar këtë vendim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative më 29.11.2022,  ka pranuar padinë me nr. 2767/2022 ku Paditëse është Shoqata  e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin  e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022”.

“I nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi  i vendimit të të njëjtit, deri në përfundimin meritor të kësaj çështje në konfliktin administrativ”, është thënë në komunikatë.

Në vitin 2017 kryeministri i Kosovës atëherë, Ramush Haradinaj, pati rritur pagat për shumë kategori dhe mes tyre për gjyqtarë dhe prokurorë.

Përkundër faktit se një gjë e tillë konsiderohej si joligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ky vendim asnjëherë nuk ishte shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, pavarësisht kërkesave të opozitës e shoqërisë civile në atë kohë.

Vendimi ishte prekur më pas në vitin 2020 nga pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, por vetëm për zyrtarë qeveritarë, derisa pagat e punëtorëve të sistemit të drejtësisë mbetën, meqë edhe shkonte me premtimet e vetë Kurtit për paga të larta në këtë sektor.

Përfundimisht, me Projektligjin për paga nga Qeveria e Kosovës, më 23 nëntor ulje të pagës kishin pësuar edhe gjyqtarët edhe prokurorët.

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Anti-ligjore, anti-kushtetuese, anti-Komisionit të Venecias, anti…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore