Lajme

Qe 2 vjet askush s’di gjë për “Fondin e Sigurisë” – Qeveria refuzon të tregojë sa para u mblodhën


Foto: Albanian Post.

Për dy vjet rresht që nga miratimi i Fondit për Siguri, institucionet e Kosovës nuk kanë ndarë as edhe një informacion sa i përket mjeteve buxhetore që janë mbledhur në këtë fond i cili parashihet të jetë në shërbim të Forcës Sigurisë së Kosovës (FSK).

Institucionet deri më tani janë fshehur pas një vendimi të ish-drejtorit të thesarit, Ahmet Ismajli (tash guvernator i BQK-së), që thoshte se “informacionet për Fondin e Sigurisë janë konfidenciale/të fshehta”.

Në vendimin e tij ishte thënë se këto donacione janë të dedikuara vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë e Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë.

E çuditshme kjo, kur vetë Qeveria e Kosovës e bën publik buxhetin për ushtrinë.

Albanian Post gjatë së martës ka provuar që të marrë një përgjigje fillimisht nga Ministria e Financave, meqë nuk ka as edhe një informacion për këtë fond, por që deri në publikimin e këtij artikulli s’është pranuar përgjigje.

Ndërsa nga Ministria e Mbrojtjes, është hedhur përgjegjësia tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

“Ministria kompetente dhe e vetmja përgjegjëse në menaxhimin e Fondit të Sigurisë është Ministria e Financave e Punës dhe Transfereve, prandaj sugjeroj që t’i drejtoheni kësaj ministrie”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Mbrojtjes për Albanian Post.

Një muaj më parë nga organizatat joqeveritare po ashtu ishte kërkuar qasje nga Ministria e Financave dhe Agjencia për Privatësi dhe Informacion që në pajtim me obligimet që dalin nga legjislacioni i aplikueshëm të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, por e kotë.

“Vendimi i Ismailit në kundërshtim me ligjin”

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (KDI) Lavdim Makshana, në një përgjigje për Albanian Post ka thënë se vendimi i Ismailit në atë kohë ishte bërë në kundërshtim me ligjin.

“Klasifikimi i këtyre të dhënave si konfidenciale, nga ish-drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismajli ishte bërë në kundërshtim me ligjin, kjo pasi ky klasifikim ishte bërë, duke bazuar në Ligjin tashmë të shfuqizuar për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë Nr. 08/L-175”, thotë Makshana për AP.

Madje, arsyetimin për mos hapjen e të dhënave ai e vlerëson si të çuditshëm e të pabazë.

“Nënvizimi se ‘hapja e paautorizuar e këtyre të dhënave, veçanërisht shumës së tërësishme të mbledhur dhe numrin e kontribuesve, do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës, në rrafshin rajonal dhe më gjerë’, është arsyetim abstrakt, i cili nuk mbështetet në fakte”.

Në një situatë të ngjashme Makshana, sqaron edhe se si veprohet sipas standardeve ndërkombëtare.

“Standardet e mira ndërkombëtare përcaktojnë se në rastin e klasifikimit të informacioneve duhet të tregohet kategoria e ngushtë e informacionit dhe të përshkruhet dëmi që mund të rezultojë nga zbulimi, duke përfshirë edhe nivelin e seriozitetit dhe probabilitetin”.

 

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Kurse, nëse i referohemi vendimit i cili është klasifikuar si konfidencial, as për së afërmi nuk përmbush këto standard”, shtoi ai.

Makshana arsyeton që pasi mjetet i takojnë buxhetit publik, të njëjtat duhet të publikohen.

“Kemi të bëjmë me fonde vullnetare të qytetarëve, të cilët më pas dedikohen vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe të njëjtat para konsiderohen para publike, mbi bazën se këto të dhëna janë publike, të dhënat nga Fondi i Sigurisë është dashur të jenë të hapura”.

“Edhe Ligji Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike ka përcaktuar se “Qasja në dokumente publike gjithnjë lejohet, nëse: 3.1. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjnë me shpenzimet e parasë publike”.

Po ashtu, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi brenda mandatit të saj është kërkuar përmbushja e detyrave të saj dhe të nxjerrët një vendim përfundimtar lidhur me kërkesën për deklasifikim të informacionit, në të kundërtën do të shqyrtohen mundësitë e inicimit të procedurave gjyqësore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve.

“Komisioni për Siguri s’diskutoi asnjëherë për fondin”

Anëtari i Komisionit për Siguri, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Rashit Qalaj, deklaron për Albanian Post se kjo çështje s’është diskutuar më asnjëherë që nga viti 2022.

“Kjo çështje për Fondin e Sigurisë ishte trajtuar vetëm para dy vjetësh, që nga atëherë kjo çështje s’është trajtuar asnjëherë”, deklaroi Qalaj.

“Ne si Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kemi pasur rezerva edhe kur është themeluar ky fond, e po ashtu e kemi ditur se ky fond nuk ndihmon aspak në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe po ashtu kemi dashur ta dimë vlerën që mblidhet në kuadër të këtij fondi”, thotë ai.

Komisioni për Siguri.

Si “misterioze”, Qalaj i konsideron edhe kushtet që janë vendosur për të kontribuar në këtë fond.

“Për mua, është e dyshimtë edhe kushtet se kush mund të kontribuojë në këtë fond, meqenëse gjithmonë kam parasysh që nuk ka asnjë kriter për secilin qytetarë jo vetëm i Kosovës, por kushdo që dëshiron të kontribuojë në këtë fond”.

Ai shton se fondi do të mund të keqpërdorej duke u derdhur aty eventualisht para të pista të krimit e të “njerëzve me të kaluar kriminale”, pasi s’janë të qarta format e kontributit.

Fond i miratuar me 1 mars 2022 nga Qeveria e Kosovës, parashihet të shërbejë ekskluzivisht vetëm për ushtrinë e Kosovës, qoftë për blerjen e armatimit, qoftë për trajnimin e ushtarëve të Kosovës. Buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në në 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri. Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore