Lajme

Putin heq dorë nga samiti i G20, Zelensky vetëm në format video


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në samitin e vendeve të G20, i cili pritet të zhvillohet në Bali të Indonezisë në fund të vitit, teksa ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të jetë pjesë vetëm përmes formatit video.

Kështu ka raportuar media “Bloomberg” mbi një çështje tepër të diskutuar gjatë javëve të fundit, kur fillimisht u hodhën dyshimet se do të kishte takim mes dy presidentëve.

Më pas, u tha se veç njëri do të ishte i pranishëm fizikisht e deri në versionin përfundimtar ku Putin do të mungojë dhe Zelensky do të jetë nëpërmjet një videokonference.

Sipas Bloomberg, do të jetë ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavror, ai i cili do të marrë pjesë në samit nga pala ruse.

G20 kryesohet këtë vit nga Indonezia, e cila organizon samitin më 15-16 nëntor në Bali.

Në gusht, Shtëpia e Bardhë deklaroi se Zelensky duhet të jetë i pranishëm nëse Putin është gjithashtu atje.

Vetë Zelensky deklaroi se pjesëmarrja e Ukrainës në samitin e vjeshtës të G20 do të varet nga situata e sigurisë në vend dhe nga përbërja e pjesëmarrësve të samitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore