Lajme

“Punëtori grevon, pushteti ndëshkon”, PSD me aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë


Aksioni i PSD-së para Ministrisë së Ekonomisë.

Partia Social-Demokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik – që drejtohet nga Artane Rizvanolli – në përkrahje të minatorëve të Trepçës, e cila po vazhdon tash e tetë ditë.

Aktivistët e kësaj partie, në hapësirat e Ministrisë së Ekonomisë kanë vendosur një baner me mbishkrimin: “Punëtori grevon, pushteti ndëshkon”, duke iu referuar qasjes që qeveria e ka pasur deri më tani me minatorët grevistë.

Baneri i vendosur ne hapesirat e Ministrise se Ekonomise

Aktivisti i PSD-së, Lisjan Perollo, ka thënë se gjuha e përdorur nga qeveria në raport me minatorët grevistë ka qenë ajo e ndëshkimit.

“Sot është bërë dita e 7 prej kur punëtorët e Trepçës janë futur në grevë. Prej asaj dite deri më sot gjuha e vetme që pushteti e ka përdorur ndaj këtyre punëtorëve ka qenë gjuha e ndëshkimit. Ka qenë gjuha e shantazhit edhe e kërcënimit”, tha Perollo.

Për aksionin simbolik që u mbajt këtë të marte, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Sipas Molliqajt, është më se e qartë që mendësia të cilën e përfaqëson Kurti “është ajo e shantazhit për më tepër kontroll, tash tek sindikatat e punëtorëve”.

“Por nga kjo histori e fundit mësuam edhe se e vetmja strukturë e organizuar që nuk e ka nën kontroll ky pushtet janë sindikatat. Prandaj, nuk ka ligj a nen që e ndal këtë qeveri, pos organizimit sindikal”, shkroi kreu i PSD-së.

Ai ka shtuar se pavarësisht premtimeve që Kryeministri Albin Kurti, i ka bërë për investime milionëshe në këtë ndërmarrje nuk është parë ndonjë gjë e tillë.

“E njëjta gjë po ndodh edhe sot, kryetarin e sindikatës së Trepçës e pushuan nga puna pse punëtorët janë futur më grevë. Kurti i premtoj 7 milion euro investime brenda për dy vjet qeverisje. Sot gati tri vite më vonë qeverisje nuk ka as një investim. Është më se e qartë se mendësi të cilën e përfaqëson Kurti është ajo e shantazhit për kontroll”, vlerësoi aktivisti i PSD-së.

Nga ana tjetër, sindikalistët e Trepçës të martën janë takuar me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku kërkesë e tyre urgjent ka qenë që minatorët të nxjerrën nga greva, e po ashtu të shkarkohet edhe kryeshefi i Trepçës.

Madje, njëri nga sindikalistët në fjalën e tij, është përlotur derisa ka kërkuar që të plotësohen kërkesat e tyre.

Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, gjatë fjalimit të saj ka thënë se janë të informuar për situatën e vështirësuar që është aktualisht.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për rrethanat e vështirësuar. Për ne janë disa situata për të cilat ne nuk kishim dashur të vimë deri këtu, fatkeqësisht është një numër atje poshtë, por një jetë e vetëm me qenë është prapë shumë”.

“Ne kemi kërkuar dhe e kemi parë që minatorët nuk dinë politikë, greva të minatorëve ka pasur në secilën qeverisje”.

Sipas saj, situata aktuale kur po paraqiten kërkesat e minatorëve janë më të ndërlikuara.

“Tash në situatën që kësaj here ka ndodhur është paksa problematike, pasi që kur kërkohen kërkesat e këshillit grevist nuk ka të tillë do të thotë po themi që janë të gjithë minatorët”.

Anëtarët e sindikatës së Trepçës.

Njëri nga anëtarët e sindikatës së Trepçës, deklaroi se në grevë ka shumë persona që janë në gjendje të rëndë.

“Ne kemi hyrë në ditën e tetë të grevës kemi shumë persona që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore dhe janë në gjendje të rëndë. Atje situatë është e rëndë, duhet të shkoj përtej politike dhe duhet humanizëm fillimisht sepse është obligim i yni dhe i juaji që të zgjidhet kjo çështje”.

Ai ka theksuar se njëra prej kërkesave të tyre është që të shkarkohet edhe menaxhmenti.

“Kërkesat tona nuk kanë ndryshuar dhe janë kërkesa për realizimin e pagës mujore nga data 6 deri në datën 10, gjithashtu është llogaridhënie dhe shkarkimi i menaxhmentit, po ashtu është sigurimi shëndetësor dhe krijimi i kushteve më të mira në punë”.

Kurse, anëtari tjetër Islam Ahmeti, potencoi se në vend se të shkarkohet kryeshefi i Trepçës, dëshironi të mbytni një numër të personave.

“Unë jam duke u çuditur me ju, për një person doni të mbytni 300 persona. Personat aty nuk i kanë parë familjarët e tyre tash e tetë ditë”.

Për një takim të tillë kryetari i komisionit, Ferat Shala nga radhët e PDK-së u shpreh se javën e kaluar i është bërë ftesa zyrtare ministres Rizvanolli.

Por, që e njëjta sipas tij kishte një udhëtim zyrtarë jashtë vendit.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

“Për një person dëshironi t’i mbysni 300 të tjerë”, “jemi të vetëdijshëm për rrethanat e vështirësuara” – deputetët diskutojnë me anëtarët e sindikatës së Trepçës për grevën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore