Lajme

Pse Vetëvendosje i fshiu arkivat e partisë?


Lëvizja Vetëvendosje ka fshirë shkrimet e publikuara nga periudha kohore 2005-2014.

Të gjitha qëndrimet e Lëvizjes, komunikatat dhe vlerësimet e tyre për procese të ndryshme publikoheshin aty.

Tani nëse kërkohen shkrime që ndodheshin më parë, krejt çfarë shfaqet është një frazë ku thuhet se “linku është jashtë përdorimit”.

Nga Vetëvendosje nuk kanë dhënë shpjegime se përse kanë fshirë të kaluarën e publikuar online.

Albanian Post ka provuar të kontaktojë me Arlind Manxhukën, zëdhënës për media i Vetëvendosjes, por nuk ka qenë e mundur. Ai nuk u është përgjigjur telefonatave të redaksisë.

Njëjtë ka ndodhur edhe me Përparim Kryeziun, kolegun e Manxhukës në zyrën për media të Vetëvendosjes.

As ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Leonora Svarça, kandidate për deputete e Vetëvendosjes është përgjigjur. Por, vetëm për të thënë se “refuzon të flasë”, kur është pyetur për fshirjen e shkrimeve.

Një ide pse Vetëvendosja ka zhdukur shkrimet nga sajti zyrtar i partisë, e ka një ish-deputet i kësaj partie, Frashër Krasniqi.

Krasniqi, tash anëtarë i Partisë Socialdemokrate, grupit të shkëputur nga Vetëvendosje, thotë se një nga elementet e përbashkëta, pothuajse të të gjitha pushteteve autoritare, është fshirja në një momenti të caktuar e pjesëve të historisë.

“Ato pjesë që nuk i konvenojnë atij pushteti”, shton Krasniqi.

“VV dhe Albin Kurti po vijnë në pushtet duke u transformuar tërësisht ideologjikisht, pra pasi janë shndërruar në një parti populliste, me tendenca autoritare, me program centrist dhe me tendenca të djathta e konservatore”, vazhdon ai.

Sipas Krasniqit, “shfytyrimi i VV-së mund të vërehet lehtë nëse shihen qëndrimet e saj të mëhershme”.

“Prandaj janë fshirë të gjitha ato komunikata”, përfundoi ai.

Fshirjen e komunikatave nga arkiva e LVV-së, e ka komentuar edhe analisti kosovar, Fitim Salihu.

Sipas tij, një veprim i tillë do të thotë, “ta hedhësh në shportë të mbeturinave mundin e qindra aktivistëve që kanë sakrifikuar në këtë parti mes viteve 2005-2014”.

“Kjo do të thotë të turpërohesh nga e kaluara jote”, tha ai.

Edhe Salihu pohon se një veprim i tillë është tipik për partitë “me mentalitet autoritar dhe që i japin vetes mision mesianik”.

“Retushimi i të kaluarës sipas shijeve të sotme të liderit është karakteristikë e partive të këtilla”, tha Salihu për Albanian Post.

Një ndër këto komunikata ka qenë “Gjaku i humbur”, ku akuzohej ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, për kolaboracionizëm.

E tillë ka qenë edhe komunikata kundër ish- kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili u sulmua për shkuarjen e tij në varrimin e Ibrahim Rugovës.

Pastaj, komunikata e vitit 2010, me titullin, “Biden e di mirë”, ka qenë shkrim aspak miqësor kushtuar Presidentit të 46-të të SHBA-ve, Joe Biden.

LVV-ja, pati reaguar ndaj Biden, gjatë vizitës së tij në Kosovë si zëvendëspresident i SHBA-ve nën presidencën Obama.

Biden pati kërkuar votimin e demarkacionit dhe lidhur me këtë, LVV i ka kushtuar komunikatën që tashmë nuk ekziston në arkivat e këtij subjekti politik.

“Nënkryetari i ShBA-ve, Joseph Biden, nuk erdhi në Kosovë për t’ia mbajtur një fjalim Kuvendit të Kosovës. Nuk besoj ai ta ketë ndjerë nevojën e tifozerisë së deputetëve kosovarë që duartrokasin si ndonjë farë sekti primitiv. Nuk besoj as ta ketë marrë malli për Manastirin e Deçanit apo të ketë ardhur për t’i ngushëlluar ushtarët amerikanë për jetën e rëndë që bëjnë në kampin Bondsteel”, shkruhej në komunikatën e LVV kushtuar Biden.

Një tjetër shkrim ishte edhe qëndrimi se bombardimi i NATO-s në Kosovë nuk kishte ndodhur për interesin e shqiptareve, por për interesa të ndërkombëtarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore