Lajme

Pse Rusia lëshoi urdhërarrest për disa zyrtarë të Policisë së Kosovës?


Ilustrim

Rusia ditë më parë ka lëshuar urdhërarrest për tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, për të cilët ka kërkuar që të futen në sistemin e kërkimit të INTERPOL-it.

Në dokumentet e siguruara nga Radio Evropa e Lirë theksohet se Rusia i konsideron zyrtarët policorë në fjalë si të dyshuar për veprat “arrestim i paligjshëm” dhe “kidnapim”.

Rusia, sipas REL, ka pretenduar se këta policë ishin të përfshirë në “arrestimin dhe keqtrajtimin” e shtetasit rus, Mikhail Krasnoshchenkovit në vitin 2019, i cili ishte i punësuar atëkohë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

Ai ishte udhëheqës i ekipit në Zyrën e UNMIK-ut në Zubin Potok – komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në listën e shtetit rus, ashtu si edhe në dokumentet e INTERPOL-it, policët përshkruhen si shtetas të Serbisë, meqë Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Mediat kishin raportuar se në mesin e personave të kërkuar nga Rusia janë dy policë të njësive elitare të Policisë së Kosovës: Besart Ahmeti dhe Alban Jetullahu.

Por, Radio Evropa e Lirë duke cituar listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht, të përpiluar nga Ministria e Brendshme e Rusisë, ka raportuar se në mesin e personave të kërkuar nga Rusia figuron edhe emri i Faruk Gashit, po ashtu, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Mikhail Krasnoshchenkov asokohe ishte ndaluar nga Policia e Kosovës, në rrugën nga Zubin Potoku në drejtim të Mitrovicës së Veriut, gjatë një aksioni kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në Veriun e Kosovës.

Aksioni ishte zhvillua më 28 maj të vitit 2019.

Krasnoshchenkov më pas ishte lirua, ngase kishte imunitet diplomatik si pjesëtar i UNMIK-ut, por Qeveria e Kosovës e kishte shpallur person të padëshiruar, duke e dëbuar nga Kosova.

Krasnoshchenkov, asokohe kishte marr trajtim mjekësor në Beograd, pas pretendimeve se ishte maltretuar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në kohën e këtij incidenti, UNMIK-u kishte kërkuar lirimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore