Lajme

Pse po e braktis Indonezia kryeqytetin e vet?


I njohur për trafikun dhe cilësinë e dobët të ajrit, kryeqyteti i Indonezisë po përballet me një stuhi sfidash klimatike dhe mjedisore.

Kështu, qeveria e atjeshme ka vendosur ta zhvendosë diku tjetër në një zonë më të sigurt.

Reshjet gjithnjë e më të mëdha, përmbytjet, ngritja e nivelit të detit, kanë komplotuar për ta bërë Jakarta-n një vend sfidues për më shumë se 10.5 milionë banorët e tij.

Një e katërta e qytetit mund të jetë nën ujë deri në vitin 2050.

Prandaj dhe qeveria indoneziane po i jep lamtumirën Jakarta-s dhe planifikon të zhvendoset në një kryeqytet të ri, Nusantara.

Është një qytet i ndërtuar me qëllim më shumë se një mijë kilometra larg në provincën lindore Kalimantan të ishullit Borneo.

Teksa liderët botërorë mblidhen për samitin COP27 në Egjipt dhe përcaktojnë mënyrat dhe afatet kohore për të shmangur atë që për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres ishte “vetëvrasja kolektive”, fati i Jakarta-s tregon se njerëzit në botën në zhvillim po vuajnë tashmë.

Ata po i përshtaten një realiteti të ndryshuar klimaterik.

Zhvendosja e një kryeqyteti është një detyrë e frikshme megjithëse planet duket se janë avancuar.

Presidenti Joko Widodo planifikon të presë festimet e 79-të të ditës së pavarësisë së Indonezisë në Nusantara në gusht të vitit 2024, ku infrastruktura bazë për 500 mijë banorë do të jetë përfunduar.

Bambang Susantono, një ish-ministër transporti indonezian, i cili drejton projektin e ri të zhvillimit të kryeqytetit, është optimist.

Për të, krijimi i një qyteti të ri nga “zeroja” është një avantazh pasi lejon kontrollin mbi masterplanin, cilësinë e punës inxhinierike dhe aplikimin e teknologjisë më të fundit.

“Duke pasur parasysh këto fakte, unë besoj se Nusantara do të jetë një shembull kryesor se si qytetet dhe vendet mund t’i përgjigjen ndryshimeve klimatike”, ka thënë ai.

Por kritikët nuk janë aq të sigurt.

Nuk e kanë shkaktuar ndryshimet klimatike fundosjen e Jakarta-s. Qyteti po mbytet nga rritja e nivelit të detit që është shkaktuar nga gazrat serrë që ngrohin planetin.

Për Edvin Aldrian, profesor i meteorologjisë, ndërtimi i një kryeqyteti të ri mund të jetë “vetëm shmangie e problemit”.

Lëvizja nuk do të ndalojë reshjet dhe përmbytjet gjithnjë e më ekstreme, të cilat po bëhen “gjithnjë e më të rënda” qoftë në kryeqytet apo në të ardhmen në Nusantara.

Aldrian ka paralajmëruar se rreth 40 për qind e Jakarta-s shtrihet nën nivelin e detit dhe pjesa veriore e qytetit po fundoset me një shpejtësi prej 4.9 centimetra çdo vit.

Dhe ulja është kryesisht për shkak të përdorimit nga qyteti të ujërave nëntokësore të thithura nga puset e ujit.

Megjithëse shirat e dendur duhet të mbështesin themelet e kryeqytetit, shtrirja urbane krijon një kufi konkret që e parandalon rimbushjen.

Kështu, “teksa sipërfaqja tokësore e kryeqytetit po fundoset, deti po ngrihet”.

Ai ka shpjeguar po ashtu se ujërat nëntokësore po shterohen.

Shiu i rrëmbyeshëm mbi qytet është bërë më i zakonshëm, duke shkaktuar një rritje të përmbytjeve të rënda. Shtuar kësaj, shiu i dendur në terrene më të larta aty pranë derdhet në Jakarta, duke përmbytur kanalet dhe rrugët ujore të qytetit.

Pastaj është deti, ku rritja e ujërave kërcënon qytetin, veçanërisht gjatë baticave.

Retë e shiut vlerësohet se janë formuar për shumë kilometra mbi qytet, ndërsa një lartësi normale për mbulimin e reve do të ishte rreth tre deri në katër kilometra, sipas tij.

Gjithashtu disa zona panë reshje shiu me një intensitet prej 377 milimetra në ditë, duke shkaktuar disa nga përmbytjet më të këqija që kanë goditur ndonjëherë kryeqytetin.

“Problemi nuk është tek përmbytjet, por më pas”, ka ravijëzuar profesori, duke sqaruar se të gjitha shpenzimet janë për pastrimin e rrëmujës.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore