Lajme

Pse është (jo) e mirë njohja e Izraelit për Kosovën, sipas ekspertëve


Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës “duke e thyer akullin” e njohjeve për Kosovën pas tri viteve kur për herë të fundit një gjë të tillë e kishte bërë shteti i Barbadosit.

Megjithatë ky lajm nuk u mirëprit në Bruksel. Të martën, Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj vendimit të Kosovës për të hapur ambasadë në Jerusalem, duke kërkuar nga Kosova që të përmbushë angazhimet e saj për integrimin në BE.

“Ky vendim e tërheq Kosovën në një kah tjetër nga ai i BE-së në lidhje me Kudsin (Jerusalemin)”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Ndërkohë, Visar Xhambazi nga Instituti D4D thotë për Albanian Post se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin ka një rendësi të veçantë për forcimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Izraeli është një shtet i zhvilluar ekonomikisht dhe një aleat i ngushtë i ShBA-së, si rezultat, kjo krijon përparësi të mëdha për Kosovën”, tha Xhambazi.

Megjithatë, sipas tij, vendimi për hapjen e ambasadës në Jerusalem ka potencial të krijojë probleme të tjera për Kosovën.

“Problemi për Kosovën qëndron për faktin se ajo synon t’i bashkohet BE-së dhe OKB-së në të ardhmen dhe hapja e ambasadës ne Jerusalem mund të dëmtojë marrëdhëniet me shtetet evropiane dhe boten arabe”, potencoi Xhambazi.

Edhe Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike është në të njëjtën linjë me Xhambazin.

“Në këtë rast vendosja e ambasadës në Jerusalem apo njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit mund të ketë pasoja negative për Kosovën. Por se me çfarë pasoja mund të përballemi nuk është mirë të paragjykojmë tash”, potencoi Fetahu.

Megjithatë, sipas Fetahut, njohja e shtetit të Kosovës nga hebrenjtë është shume e rëndësishme për Kosovën pasi vjen pas një ofensive te çnjohjeje.

“Duhet shtuar këtu se kjo njohje mund te shërbejë për shtete tjera që janë hezituese për ta njohur Kosovën, por shumëçka do te varet nga qasja e Kosovës ne raport me këto vende”, theksi Fetahu.

Ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, mendon se njohja e Izraelit është mesazh i fortë edhe për ato vende tjera të BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën.

“Nuk pres që të ketë ndonjë masë ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës pasi raportet e BE me Kosovën janë në minimum siç e dimë gjithë”, potencoi Spahiu.

Kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, si dhe homologu i saj izraelit, Gabriel Ashkenazi të martën nënshkruan formalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve.

Ndërkohë Izraeli kishte pranuar kërkesën e Kosovës për të hapur ambasadë në kryeqytetin izraelit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore