Shqipëria

“PS ka vendosur një standard, Tushe nuk është më pjesë e saj”


“Institucionet duhet të godasin këdo që shkel ligjin dhe shpërdoron financat e shtetit. Ky është vetëm fillimi i një goditjeje ndaj krimit”.

Kështu është shprehur sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, pas takimit zyrtar me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

PS-ja ka vendosur një standard për anëtarët e saj, sipas Ballës, dhe kjo sjell që Fatos Tusha, ish-kryetari i Bashkisë së Lushnjës “nuk është më pjesë e PS-së”.

Ndërsa u ka bërë thirrje dhe partive politike të mbajë qëndrim distancues dhe përjashtues ndaj këtyre rasteve precedentë, njëjtë siç “ka zgjedhur të bëjë PS-ja”.

Po ashtu, ai bëri me dije se gjatë bisedimeve u fol dhe për projektet infrastrukturore, duke theksuar se, deri në fund të këtij muaji, do të hapet një pikë e re kufitare me shtetin fqinj, Mali i Zi.

“Shqipëria ka aplikuar dhe pret mbështetjen nga Bashkimi Evropian (BE) për projektin e Hanit të Hotit-Durrës”, ka thënë Balla. “Gjithashtu dhe për korridorin blu, që lidh bregdetin e Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë që përfundon në Igumenicë”.

Rëndësi të veçantë i është kushtuar dhe kontributit për paqen dhe stabilitetit të rajonit tonë dhe forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjithashtu edhe ndërtimit të urave të komunikimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Shkarkohet kryebashkiaku i Lushnjës

Më herët kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me vendim të Këshillit të Ministrave, ka shkarkuar kryetarin e bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe.

Tushe u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK), sepse akuzohej për favorizim dhe korrupsion.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë arrestuar disa persona, mes tyre dhe vartës të kryebashkiakut dhe biznesmenë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore