Lajme

Protestuesit irakianë sulmuan ambasadën suedeze në Bagdad


Qindra protestues sulmuan portat kryesore të ambasadës suedeze në kryeqytetin irakian të Bagdadit të enjten herët.

Kjo, në përgjigje të autoriteteve suedeze që i dhanë leje për një demonstratë ku organizatorët thuhet se po planifikojnë një djegie tjetër të librit të shenjtë mysliman, Kuran-it.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë “Reuters” dhe “AFP”.

Videot e postuara në mediat sociale treguan një numër të madh protestuesish brenda perimetrit të ambasadës suedeze, si dhe tym dhe zjarr që dilte nga ndërtesa.

Protesta në Suedi, e planifikuar për të enjten, vjen vetëm disa javë pasi një burrë i vuri zjarrin faqeve të Kuran-it jashtë xhamisë kryesore të Stokholm-it, duke çuar në zemërim dhe dënim të gjerë në mbarë botën, përfshirë në Irak.

Sipas AFP-së, policia suedeze tha të mërkurën se kishte dhënë një leje për një protestë jashtë ambasadës irakiane në Stokholm, me mediat që raportuan se organizatorët kishin planifikuar të digjnin librin e shenjtë mysliman.

Policia e Stokholmit i tha AFP-së se kishte dhënë një leje për një “mbledhje publike” jashtë ambasadës irakiane, por nuk dëshironte të jepte komente të mëtejshme mbi atë që protestuesit po planifikonin.

Në protestën e Bagdadit, dëshmitarët okularë i thanë CNN se protestuesit u tërhoqën nga perimetri i ambasadës suedeze pasi i vunë flakën një pjese të saj “duke dhënë mesazhin e tyre të protestës kundër aktit të djegies së Librit të Shenjtë të Zotit”.

Ministria e Jashtme e Irakut dënoi djegien e ambasadës suedeze në Bagdad, tha ministria në deklaratë.

Incidenti është pjesë e një modeli shqetësues të sulmeve ndaj misioneve diplomatike, duke paraqitur një kërcënim të rëndësishëm sigurie, tha ministria.

Ai shtoi se qeveria irakiane ka ndërmarrë veprime të shpejta, duke udhëzuar autoritetet kompetente të sigurisë për të nisur një hetim urgjent, “masa për të zbuluar rrethanat e incidentit dhe për të identifikuar autorët e këtij akti dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës sipas ligjit”.

Në fund të qershorit, një burrë dogji një kopje të librit të shenjtë të Islamit jashtë një xhamie të Stokholmit duke shkaktuar dënime masive në të gjithë botën myslimane.

Imazhet e ngjarjes treguan se ai ishte i vetmi person përveç përkthyesit të tij në demonstratë, e cila përkoi me festën myslimane të Kurban Bajramit, një nga datat më domethënëse në kalendarin islamik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore