Lajme

Protesta masive në Francë kundër rritjes së moshës së pensionit


Rrugët e Parisit janë pushtuar nga qytetarët me një kërkesë të qartë kundrejt Qeverisë franceze: Mosha e pensionit nuk duhet të shkojë nga 62 në 64 vjeç.

Reforma e propozuar nga kreu i Elysee-së, Emmanuel Macron, nuk duket në themele shumë të shëndetshme, ku parashikohen edhe bllokime shërbimesh në gjithë vendin.

Në aeroportin e Orly në Paris, një në pesë fluturime është anuluar.

Shumë shkolla dhe shërbime të tjera publike, pritet po ashtu të jenë të mbyllura gjatë të enjtes, në shenjë proteste kundër Macron dhe për të ushtruar presion te Parlamenti, për të mos e aprovuar rritjen e moshës së pensionimit.

Më shqetësuese se këto gjithsesi, mund të jetë pjesëmarrja e të majtës ekstreme gjatë tubimeve, për shkak të incidenteve që mund të shkaktohen.

Për këtë arsye, Policia ka shtuar e efektivëve në terren dhe ka kërkuar qetësi dhe qytetari në zhvillimin e protestave.

Propozimi për rritjen e moshës së pensioneve është ravijëzuar edhe nga kryeministrja e vendit, Elisabeth Borne, e cila ka propozuar që prej vitit 2027, qytetarëve do t’u duhet të kenë 43 vite punë për të dalë në pension të plotë.

Në opinionin publik gjithsesi, 68% e njerëzve janë kundër këtij vendimi, përfshi edhe unionit të “reformistëve” siç njihet në Francë, mbi të cilin Qeveria kishte shpresë se mund të kthente opinion mbi çështjen.

Një sfidë tjetër e Macronit, është po ashtu edhe kalimi i vetë ligjit në Parlament, duke parë se numrat e nevojshëm të një shumice partia e tij nuk i ka dhe vota të tjera, duhet të mblidhen nga forca të tjera politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore