Lajme

Prokuroria të premten shpalos të gjeturat e hetimit dhe dorëzon aktakuzën për vrasjen në Gllogjan


Foto nga arkivi: Albanian Post.

Prokuroria Themelore në Pejë, të premtën e 5 majit do të shpalos të gjeturat e hetimit për vrasjen tronditëse që kishte ndodhur në Gllogjan më 26 nëntor e që konsiderohej si njëra nga vrasjet më tronditëse të ndodhura në këtë rajon.

Lajmin e ka bërë të ditur prokuroria përmes një komunikate dërguar mediave.

Gjykata Themelore në Pejë, kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit të katërt, i cili është arrestuar nën dyshimet në lidhje me vrasjen e trefishtë në Gllogjan, të ndodhur më 26 nëntor të vitit të kaluar.

Tre të dyshuar ishin arrestuar më 11 dhjetor për vrasjen e tre personave, më 26 nëntor në Gllogjan të Komunës së Deçanit, kishte bërë të ditur kjo prokurori, por që nga 26 nëntori ky rast ishte në hetime kurse akoma nuk janë sqaruar të gjitha rrethanat se si kishte ndodhur ngjarja.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e 26 nëntorit 2021 në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua nga një person i maskuar,  derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Disa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin.

Serisa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.

Raporti i policisë kishte treguar se dyshimet e para ishin se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Të dhënat e para nga policia ishin se “i dyshuari gjendet në arrati”, kurse “rasti vazhdon në procedurë hetimore”.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, kishte treguar për Albanian Post se policia ka arsye të besojë se “ka qenë vetëm një sulmues me armë”, porse ka refuzuar që në këtë fazë të flas më shumë për motivet e sulmit.

Autobusi i sulmuar në Gllogjan të Deçanit. Foto nga vendi i ngjarjes

Ai gjithashtu kishte refuzuar të tregojë se bazuar në çfarë të dhënash policia ka ardhur në përfundimin se ishte sulmues i vetëm ai që vrau dy nxënësit dhe shoferin e autobusit.

E po në ditën e 27 nëntorit, banorët e Deçanit në shenjë proteste dhe solidarizimi me familjet e viktimave kishin ndezur qirinj në fshatin Gllogjan.

Ndërkaq, të dielën e 28 nëntorit, ishte bërë varrimi i tre personave që humbën jetën si pasojë e këtij sulmi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore