Kosova

Prokuroria Speciale reagon ndaj deklaratës së Sveçlës për sulmin ndaj policëve në Leposaviq


Policia e Kosovës.

“Zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht”, deklaroi Sveçla të dielën lidhur me lëndimin e pesë pjesëtarëve të policisë në Leposaviq.

Lidhur me këtë deklaratë, Prokuroria ja reaguar ndaj ministrit duke thënë se nuk paraqitet pasqyrim i saktë i ngjarjes në kontekstin ligjor.

“Për korrektësi, ju njoftojmë se për këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka ndjekur vijën e rregullt të komunikimit zyrtar të përcaktuar për rastet e hetimeve – komunikimin me prokurorin kujdestar, por ka komunikuar me prokurorin përgjegjës për terrorizëm në PSRK i cili pasi ka marrë informatat nga policia ka vlerësuar se rasti nuk ka elemente terrorizmi”.

“Të njëjtit i udhëzon që nëse nga veprimet e mëtejmë të policisë mund të rezultojë se ka elemente të terrorizmit, të njoftohet prokurori kujdestar në PSRK”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale.

PSRK-ja ka thënë se nuk ka pranuar asnjë raport zyrtar nga policia lidhur me këtë rast, përmes të të cilit do të mund të përcaktohej nëse është kompetente ose jo për të trajtuar këtë rast.

“Nga informatat e para, të lëshuara nga autoritetet e policisë dhe prokurorisë lidhur me këtë rast, lehtë konstatohet se bëhet fjalë për vepra që nuk janë në kompetencë të PSRK-së dhe për rastin tashmë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi”.

“Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga njoftimi zyrtar i Policisë për PSRK-në, ku përshkruhen veprat për të cilat janë filluar hetimet nga prokuroria kompetente”, thuhet në njoftim.

PSRK-ja ka siguruar qytetarët se mbetet maksimalisht e përkushtuar për të përmbushur mandatin ligjor në luftimin e të gjitha formave të krimit, brenda kompetencës së përcaktuar me ligj, prandaj kërkon nga të gjithë zyrtarët shtetëror që të përmbahen në deklarime të ngutshme dhe të pasakta, veçanërisht nga ato që kanë të bëjnë me hetime të rasteve.

Të dielën e 17 korrikut, pesë zyrtarë policorë në veri të vendit kanë pësuar lëndime trupore gjatë ndjekjes së krimit të organizuar dhe kontrabandës..

Duke mos zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë për tu ndalur, një kamion ka goditur veturën e policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore