Kosova

Sindikata e Policisë së Kosovës dënon ashpër sulmin ndaj zyrtarëve policorë në Veri


Sindikata e Policisë së Kosovës

Sindikata e Policisë së Kosovës e ka dënuar ashpër sulmin ndaj zyrtarëve policorë në veri të vendit ku pësuan lëndime trupore pesë policë gjatë ndjekjes së kontrabandës me mallra.

SPK kërkoi nga organet e drejtësisë që të veprohet sipas ligjit ndaj kryerësve të veprave penale të sulmin ndaj zyrtarëve policor.

“Pesë zyrtar policorë kanë pësuar lëndime gjatë kryerjes së detyrave zyrtare duke vepruar në ndjekjen e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Duke mos zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë për tu ndalur, një kamion ka goditur veturën e policisë me që rast pesë zyrtar policorë kanë pësuar lëndime si dhe janë shkaktuar dëme materiale”, shkroi Sindikata.

“Zyrtarëve policorë u dëshirojmë shërim të shpejtë, kurse nga organet e drejtësisë kërkojmë që të veprojnë sipas ligjit ndaj kryerësve të këtyre veprave penale. Veprimi sipas ligjit nga Prokuroria dhe Gjykata do të ndikonte në parandalimin e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë dhe veprave tjera penale. Policia e Kosovës janë krenaria e të gjithë neve prandaj ju jemi mirënjohës për punën, sakrificën, guximin dhe profesionalizmin që po e tregojnë për çdo ditë në përmbushjen e misionit të tyre!”, përfundoi njoftimi.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi janë sulmuar zyrtarët policorë në Leposvaiq nga kontrabanduesit.

Ai ka kritikuar organet e drejtësisë, konkretisht Prokurorinë Speciale, duke theksuar se “hezitimi për të vepruar i organeve të drejtësisë, përkthehet automatikisht në fuqizim të kriminelëve dhe rritje të vetëbesimit tek ta”.

“Kur organet e rendit ndërmarrin veprime kundër krimit të organizuar, ky veprim duhet  të jetë i menduar mirë dhe i vendosur. Krimi i organizuar zhvillohet kur organet e rendit dhe drejtësisë hezitojnë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka potencuar se zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen.

“Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht. Ndërkohë, prokurorja e prokurorisë themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë”.

“Duhet të ndodhë e kundërta, organet e drejtësisë duhet të jenë të vendosura dhe krimi të hezitojë. Kriminelët nuk duhet të mendojnë se mund të sulmojnë policinë e pastaj t’ia hedhin paq. Organet e shtetit, të rendit dhe të drejtësisë kanë vetëm një qëllim: ta kthejnë rendin dhe sigurinë në normalitet, por jo sulmin ndaj policisë sonë e as thyerjen e rregullave e ligjeve”.

Sveçla ka shtuar se ka nderin maksimal dhe mirënjohjen e lartë për policët që rrezikojnë edhe jetën për të vënë në zbatim ligjet e shtetit të Kosovës, duke shtuar se “çdo tentim vrasje ndaj tyre duhet ndëshkuar rreptë dhe shpejt, pa asnjë hezitim e me pjesëmarrjen e të gjithë institucioneve sipas rolit e detyrave”.

“Kohët e fundit, policia e Kosovës, në çdo orë të ditës e të natës, ka qenë në krye të detyrës për sigurimin e rendit dhe luftën ndaj kontrabandës. Për ta kryer detyrimin, policëve tanë u duhet të rrezikojnë edhe jetën”, ka potencuar ai.

Kreu i MPB-së ka treguar se në rastin e natës së shkuar, pas sulmit të kryer prej kontrabandistëve mbi patrullën e policisë, policët e kryen më së miri operacionin, pasi të dy kontrabanduesit u ndaluan.

“Por u desh edhe ndërhyrja e njësisë speciale për kthimin e tyre. 5 nga policët u lënduan dhe dy prej autoveturave të policisë u dëmtuan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore