Kosova

Prokuroria në Ferizaj kërkon paraburgim prej 30 ditësh për 4 të arrestuarit e fundit për fajde – në rastin Brezovica


Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit “në afat prej 30 ditësh”, ndaj katër personave të cilët u arrestuan një ditë më parë në aksionin e Policisë së Krimeve të Rënda në rajonin e Prishtinës e Podujevës.

Katër personat për të cilët po kërkohet paraburgimit, “B.M., A.H., B.K dhe A.M”, dyshohet se kanë kryer veprat penale “Fajdeja”, “Detyrim”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Të pandehurit, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Një ditë më parë, nën direktivat e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Njësia e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës janë duke zhvilluar një aksion të bastisjeve në rajonin e komunës së Prishtinës e Podujevës.

Në një prononcim për Albanian Post, Kryeprokurori i prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari ka treguar se ky aksion po bëhet kundër fajdes.

“Ka të bëj me fajde”, tregon Jashari, “për shkak se një rast është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ky rast ka ndërlidhje me rastin e parë”, vazhdon më tej ai.

“Qysh në mars të këtij viti janë arrestuar 14 persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të fajdes. Gatë hetimeve ka rezultuar se ka edhe të dyshuar të tjerë. Tash po bëhen këto bastisje dhe të shohim se çka po rezulton”, përfundon Jashari.

Në komunikatën për medie, Prokuroria Themelore në Ferizaj, bëri të ditur se në aksionin e së mërkurës janë ndaluar katër persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Fajde”, “Shmangie nga tatimi”, “Detyrimi dhe “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi të paligjshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore