Lajme

Rasti “Brezovica”- Prokuroria në Ferizaj aksion bastisjesh në Prishtinë e Podujevë për fajde


Ilustrim

Nën direktivat e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Njësia e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës janë duke zhvilluar një aksion të bastisjeve në rajonin e komunës së Prishtinës e Podujevës.

Në një prononcim për Albanian Post, Kryeprokurori i prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari ka treguar se ky aksion po bëhet kundër fajdes.

“Ka të bëj me fajde”, tregon Jashari, “për shkak se një rast është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ky rast ka ndërlidhje me rastin e parë”, vazhdon më tej ai.

“Qysh në mars të këtij viti janë arrestuar 14 persona nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të fajdes. Gatë hetimeve ka rezultuar se ka edhe të dyshuar të tjerë. Tash po bëhen këto bastisje dhe të shohim se çka po rezulton”, përfundon Jashari.

Në komunikatën për medie, Prokuroria Themelore në Ferizaj, bëri të ditur se në aksionin e së mërkurës janë ndaluar katër persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Fajde”, “Shmangie nga tatimi”, “Detyrimi dhe “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi të paligjshëm”.

Këta persona do të mbahen të ndaluar nga policia për 48 orë, deri ën një vendim tjetër të prokurorisë.

Policia e krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, është duke kontrolluar dhe sekuestruar përkohësisht – bastisur- shtëpi banimi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme në Prishtinë e Podujevë.

Më 3 mars, policia kishte arrestuar 14 persona të dyshuar për fajde, në një aksion në kuadër të rastit “Brezovica”.

Dy ditë më vonë, më pesë mars, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, për ta.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër 14 të dyshuarve: B.S., F.S., E.S., A.S., Sh.R., L.H., R.A., M.A., K.G., A.M., B.O., B.A., N.A., Sh.H., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç, konfor, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkaq, për të arrestuarin tjetër me inicialet S.B., është refuzuar kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe i është caktuar masë e sigurisë ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.

Përveç arrestimit të 14 personave personave janë sekuestruar 8 armë të ndryshme e 22 vetura.

“Gjatë bastisjes, fillimisht janë arrestuar 14 (katërmbëdhjetë) të dyshuar meshkuj kosovarë dhe më pas është arrestuar edhe 1 (një ) i dyshuar tjetër, nën dyshimin se janë të përfshirë në kryerjen e veprave të cekura, ndërsa si dëshmi  janë sekuestruar: 8 (tetë) armë të ndryshme me 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) fishekë kalibër i ndryshëm, 2 (dy) shufra metalike, DVR, 22 (njëzet e dy) vetura”, pati njoftuar policia.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore