Lajme

Prokuroria e Bosnjës ngrit aktakuzë ndaj katër personave të akuzuar për krime lufte


Ilustrim

Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës ka njoftuar këtë të mërkure se ka ngritur aktakuzë kundër katër personave, të cilët akuzohen për krime lufte të kryera në zonën e Zvornikut në Bosnjën lindore në maj dhe qershor 1992.

Emrat e personave të akuzuar, siç raporton “Radio Evropa e Lirë”, janë Dragan Spasojeviç, Vinko Radoviç, Dragomir Vasiç dhe Petko Paniç, për të cilët Prokuroria e BeH-së thekson se ishin zyrtarë civilë, ushtarakë dhe policorë dhe se të katër janë shtetas të BeH dhe Serbisë.

Prokuroria e BeH-së i akuzon ata se kanë marrë pjesë në një sulm të gjerë dhe sistematik ndaj popullatës civile të nacionalitetit boshnjak në zonën e Zvornikut.

Në aktakuzë thuhet se ata, sikurse autorët, kanë planifikuar dhe kanë marrë pjesë në zhvendosjen e detyruar të disa mijëra civilëve boshnjakë nga zona e fshatrave Gjuliqi, Klisë dhe fshatrave përreth të asaj komune.

Ata akuzoheshin edhe për trajtim çnjerëzor, si dhe burgosje të paligjshme të një pjese të kësaj popullate. Gjithashtu thuhet se gjatë persekutimit të popullatës janë kryer vrasjet e disa civilëve boshnjakë.

Prokuroria në një deklaratë thekson se Petko Paniç akuzohet për ndarjen e paligjshme të rreth 600 djemve dhe meshkujve boshnjakë, të moshës 15 deri në 70 vjeç, nga familjarët e tyre.

Mësohet se mes tyre ishin të paktën 28 ​​fëmijë, të cilët u transportuan dhe u burgosën ilegalisht në Qendrën e Shkollës Teknike në Karakaj.

Tutje, Prokuroria njoftoi se akuzat do t’i vërtetojë duke thirrur 204 dëshmitarë, ndër të cilët pesë nën masa mbrojtëse, si dhe mbi 430 prova materiale. Aktakuza i është përcjellë Gjykatës së BeH-së për konfirmim.

Ndryshe, Momçilo Krajishnik, Biljana Plavshiç, Miço Stanishiç, Stojan Zupljanin u shpallën fajtorë për krime lufte në zonën e komunës së Zvornikut para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Branko Grujiç dhe Branko Popoviç, si dhe Dushan Vuçkoviç, Dragan Sllavkoviç, Ivan Koraç, Sinisha Filipoviç, Darko Jankoviç dhe Goran Saviç, sipas aktakuzave, janë organizuar dhe kanë ardhur vullnetarisht nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore