Lajme

Profesori britanik: Alternativë e Asociacionit – ripërcaktimi i kufijve etnikë


James Ker-Lindsay

James Ker-Lindsay, profesor në London School of Economics, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se mënyra më pak e dhimbshme për Kosovën që të arrijë një marrëveshje me Serbinë, është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ose të shkohet me alternativen e ripërcaktimit të kufijve.

Ai ka rikujtuar edhe një herë se disa vite më parë, ishte një opsion tjetër për zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, por që u refuzua kategorikisht nga një pjesë komunitetit ndërkombëtar dhe pushtetit aktual, atëherë opozitë.

Ishte ideja e prezantuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për ripërcaktim kufijsh, apo shkëmbim territoresh, por në vitin 2018, kur u prezantua, çdokush që e përkrahte përulej me mbiemra si tradhtar.

“Alternativa, dhe do të jem vërtet i sinqertë, është ndryshimi i kufijve etnik, për të cilin është folur. Nëse Kosova nuk dëshiron ta pranojë këtë, atëherë gjëja më e mirë që mund të bëjë është të thotë se do t’i ruajmë kufijtë, por do t’u japim serbëve autonomi kuptimplotë”, tha Ker-Lindsay.

Edhe pse komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi ka dhënë garanca se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është i barasvlefshëm me “Republikën Serbe” në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet kosovare thonë të kundërtën.

Prandaj, për profesorin britanik, kundërshtimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përveç që është i pakuptimtë, tregon se ata nuk e kuptojnë që krijimi i një strukture të re vetëqeverisëse për serbët e Kosovës, nuk mund të paraqitet si Republika Serbe.

“Republika Serbe është një model shumë i veçantë i autonomisë që u krijua në një situatë shumë të ndryshme, ku serbët ishin një përqindje mjaft e madhe e popullsisë në Bosnje dhe u bë për të ndaluar një luftë shumë brutale. Askush, askush nuk flet për Republikë Serbe në Kosovë”.

“Mendoj se ka edhe shumë njerëz të tjerë, veçanërisht nga jashtë, të cilët po flasin për këtë sepse duan të shkaktojnë telashe. Milorad Dodik po e bën këtë sepse dëshiron të shkaktojë telashe. Ai e di se nuk ka gjë nga kjo. Askush nuk po flet për krijimin e Republikës Serbe dhe nuk është e dobishme ta paraqesësh atë si të tillë”, shtoi ai.

Ndërkaq, sa i përket propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, profesori Ker-Lindsay shprehet pesimist se problemet dhe çështjet e hapura mes palëve do të zgjidhen shpejt.

Madje, ai shtoi se kushdo që e përshkruan këtë si një mundësi historike, gabohet, sepse sipas tij, “korniza e re” e dialogut është vetëm një leukoplast që nuk po e zgjidh problemin themelor.

“E di që Bashkimi Evropian i ka duart e zëna me Ukrainën dhe kjo është arsyeja pse dëshiron të përpiqet të bëjë disa ose të japë përshtypjen e një lëvizjeje për Serbinë dhe Kosovën.

“Por, a është me të vërtetë kjo më e mira që mund të arrijmë pas 15 vitesh? Dhjetë vjet më parë, Marrëveshja e Brukselit ishte shumë më e avancuar. Kjo nuk është duke ofruar asgjë me sa mund të shoh. Dhe mendoj se për të arritur një marrëveshje do të duhet trysni, pa dyshim”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore