Lajme

Profesoresha amerikane: SHBA-të po e ndihmojnë veç Vuçiç-in, duan ta ndajnë nga Putini


Tanya Domi

Tanya Domi, profesoreshë e asociuar në “University of Columbia” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njohëse e dinamikave në Ballkanin Perëndimor, tha të dielen se Deparamenti Amerikan i Shtetit aktualisht nuk po punon për t’i dhënë ndihmë askujt tjetër, përveç presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Në një konferencë ku ishte ftuar të flasë rreth temës “Ngritja dhe rënia e politikës së SHBA-ve në Bosnje-Hercegovinë dhe në Ballkan në 30 vitet e fundit”, ajo deklaroi se SHBA-të kanë hequr dorë nga ideja që vendet e Ballkanit Perëndimor të ndajnë vlerat demokratike dhe qytetare.

“Kjo mbështetet nga fakti se Departamenti i Shtetit aktualisht po punon për t’i dhënë ndihmë Aleksandër Vuçiç-it, president i Serbisë, askujt tjetër. Perëndimi nuk po merr shumë në këmbim nga përpjekjet e tyre”, tha Domi.

Ajo theksoi se Beogradi është qendra e destabilitetit në rajon dhe sipas saj, diplomatët evropiano-amerikanë që po vazhdojnë përpjekjet për të ndarë Serbinë nga Rusia dhe ta afrojnë atë kah Perëndimi, duhet ta shohin kotësinë e këtij qëllimi.

“Mbështetni shoqatat civile dhe financoni organizatat joqeveritare që punojnë për vlerat demokratike në të gjithë Ballkanin. Idetë, shpresat dhe aktivizmi janë ende gjallë këtu”, konsideroi Domi, transmeton mediumi boshnjak “Klix“.

Tutje, profesoresha amerikane tha se Bosnja dhe Hercegovina po shkon drejt një kolapsi tjetër socio-politik, sidomos pasi Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, imponoi ndryshime në Ligjin Zgjedhor.

“Me keqardhje them se gjithçka që kemi shkruar parashikoi krizën e ardhshme, e cila u ilustrua nga përqafimi amerikan, i cili u mbështet nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, duke pranuar bashkëpunimin e Dragan Çoviç-it dhe Milorad Dodik-ut për delegjitimimin e demokracisë”, tha ajo.

Domi tha se dipomati gjerman Schmidt, me mbështetjen e SHBA-së, përhapi “shtypjen koloniale” në zemër të Evropës me ndryshimet në Ligjin Zgjedhor dhe se tani ai përfaqëson një kërcënim real për sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës dhe po minon aspiratat demokratike të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore